Qytete të qëndrueshme, bazuar në kujdesin për mjedis


E martë, 23 Mars 2021

Autor: EC MA NDRYSHE

Qytetet në Kosovë, ashtu sikurse qytetet tjera të botës, janë në rritje të vazhdueshme. Ky trend i zhvillimit sjellë me vete edhe mjaft sfida. Ndër kryesoret janë ruajtja e mjedisit dhe hapësirave të gjelbra. Prandaj orientimi i politikave publike lokale duhet të përqendrohet në krijimin e qyteteve më të qëndrueshme, me një kujdes të shtuar për çështjet mjedisore.

Agjencitë e ndryshme të OKB-së kanë vlerësuar se pjesa më e madhe e zgjerimit urban është e paplanifikuar dhe jokoherente, dhe se një gjë e tillë krijon zbrazëti në aspektin e mbrojtjes së mjedisit, si dhe kufizime në qasjen në shërbime të rëndësishme për shumë qytetarë.

Sipas të dhënave të kësaj organizate, mbi gjysma e popullsisë së botës tani jeton në qytete, dhe duke qenë se ky numër deri në vitin 2050 pritet të arrijë në dy të tretat e popullsisë, atëherë është e qartë se urbanizimi është një nga tendencat më transformuese në botë. Dhe kjo përhapje, sipas përvojave botërore, po ndodh në kurriz të burimeve natyrore dhe hapësirave të gjelbra, duke rritur ndjeshmërinë e komuniteteve urbane ndaj efekteve të ndryshimeve klimatike.

Ndërsa Karta e Re e Lajpcigut thekson se qeverisja e mirë urbane është e nevojshme për të ndihmuar të gjitha qytetet të zhvillojnë sisteme urbane të drejta, të gjelbra dhe produktive. Pos tjerash, nënvizon se politikat, planet dhe projektet parashikuese dhe parandaluese duhet të përfshijnë skenarë të ndryshëm për të parashikuar sfidat mjedisore dhe klimatike dhe rreziqet ekonomike, si dhe transformimin shoqëror dhe shqetësimet shëndetësore.

Përvojat nga periudha e pasluftës në qytetet e Kosovës, sidomos në qendrat kryesore, shpalosin një realitet të urbanizimit të vrazhdë, ku kujdesi për mjedisin dhe hapësirat e gjelbra kanë qenë të neglizhuara skajshmërisht. Parimet e gjithëpërfshirjes në hartimin e zbatimin e politikave publike janë anashkaluar, duke prodhuar rezultate që nuk janë përputhur me aspiratat e qytetarëve.

Raporti i fundit i Komisionit Evropian për Kosovën ka vënë në pah faktin se politikbërja ad hoc, në raste e ndikuar edhe nga interesat e veçanta, paraqet një pengesë për politikbërjen gjithëpërfshirëse dhe të bazuar në prova, prandaj dhe ka rekomanduar gjithë administratën për përmirësimin e mbledhjes së të dhënave administrative dhe përdorimin sistematik të tyre për hartimin e politikave.

Ndërkohë edhe organizatat e shoqërisë civile përgjatë vitesh kanë tërhequr vërejtjen se mos grumbullimi i rregullt i të dhënave nga institucionet dhe mos publikimi i tyre ka vështirësuar gjetjen e informacioneve të besueshme për të matur progresin në çështje të ndryshme, përfshirë ambientin jetësor.

Megjithë sfidat aktuale, Ministria e Pushtetit Lokal në bashkëpunim me donatorët ndërkombëtarë, po orvaten për përmirësime duke nxitur komunat që të veprojnë përmes Sistemit të Menaxhimit të Performancës Komunale, në të cilin sistem janë harmonizuar një numër i treguesve për të kontribuar drejtpërdrejt në arritjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm. Për më shumë, MPL ka theksuar se pushteti lokal është në pozitë të mirë që t’i trajtojë çështjet që lindin nga OZHQ-të dhe të punojë drejt progresit të kërkuar, pasi detyrat si planifikimi hapësinor, mirëqenia sociale, mirëmbajtja e rrugëve lokale, transporti publik, menaxhimi i mbeturinave, ujit dhe kanalizimit etj., që janë detyrat më të zakonshme për pothuajse çdo nivel lokal; dhe derisa qeveria qendrore duhet të sigurojë burime për adresimin e nevojave, përgjegjësia bie mbi pushtetin lokal që të sigurojnë që ato burime të përdoren
për arritjen e OZHQ-ve, në mënyrë efikase dhe efektive.

Në këtë drejtim, ekziston një këndvështrim global se beteja për arritjen e OZHQ-ve do të fitohet ose humbet në qytete; por se njëkohësisht edhe rritja e qyteteve i shton mundësitë për t’i bërë ato më të qëndrueshme; dhe nëse synojmë të krijojmë qytete më të shëndetshme dhe më të qëndrueshme për brezat e ardhshëm, atëherë natyrisht se duhet të rivlerësojmë edhe mënyrën aktuale të funksionimit të qyteteve tona.

Natyrisht, secila komunë i ka karakteristikat e veta, prandaj dhe në bashkëpunim me komunitetin dhe organizatat e shoqërisë civile duhet të gjejë dhe zbatojë politika sa më unike që janë miqësore me mjedisin, në mënyrë që përfitues të jenë të gjithë banorët e saj.

*Opinionet e autorëve nuk paraqesin domosdoshmërisht edhe opinionin e Prizren Post.

Etiketa:
Të fundit