E mërkurë, 12 Shkurt 2014
Është dënuar me 8 vjet burgim Ivan Radivojeviqi për krime lufte ndaj popullatës civile.
Vendimin e ka dhënë një trup i gjykues i përbërë nga gjyqtarë vendës e ndërkombëtarë, kryesuar nga gjyqtari i EULEX-it, Malcolm Simons. Radivojeviq u akuzua nga EULEX-i se ka keqtrajtuar së paku 40 kosovarë në vitin 1999 në stacionin e autobusëve në Fushë-Kosovë, transmeton KTV.
Sipas aktakuzës, burrat ishin ndarë nga gratë e fëmijët më 26 mars 1999 nga forcat serbe e disa persona u morën me vete. Ata u gjenden menjëherë pas lufte në një varrezë masive.
Dëshmitarët që u dëgjuan gjatë shqyrtimit kryesor, të gjithë kanë thënë se e kishin njohur Radivojeviqin në mesin e policëve serbë sepse ai ishte fqinj i tyre në Fushë Kosovë.
Ivan Radivojeviq ishte pjesëtar rezervist i forcave të armatosura serbe. Mbrojtja ka paralajmëruar ankesë në vendimin e gjykatës.