E hënë, 6 Shkurt 2017
Mitrovicë – Muri i Veriut, ishte sponsorizuar nga Beogradi, ndërsa formën e ndarjes së vendit e mori më 4 dhjetor, kur edhe u bë publik nga kryetari i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq.
Por në anën tjetër, askush nuk beson se kryetari i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, të mos veprojë sikurse në rastin e largimit të barrikadës prej zhavorri dhe të përforcuar me beton në urën e Ibrit, kur vetëm pak orë pas largimit të barrikadës kishte organizuar vendosjen e disa vazove me drunj pishe, si dhe disa kamionë me dhe në urë, të cilën ai e kishte quajtur “Park i paqes”.
Në këtë mënyrë, në vend të barrikadës me zhavorr e të përforcuar nga serbët me beton, ishte vendosur një barrikadë tjetër, pak më e butë, por e cila pengonte lëvizjen e lirë të qytetarëve.
Diçka të ngjashme Rakiq e ka paralajmëruar edhe gjatë mbledhjes së Kuvendit të Mitrovicës së Veriut, të shtunën, por e ka qartësuar idenë e tij të dielën, menjëherë pas rrënimit të murit. Ai ka dalë me një deklaratë, e pastaj edhe me një komunikatë për medie, me anë të së cilës ka siguruar serbët se të martën do të fillojë ndërtimi i mburojës së re me konstruksione të betonit, vetëm pak centimetra më brenda ku do të ndërtohet sheshi në rrugën “Mbreti Petër”.
“Kjo mburojë kësaj radhe do të jetë shumë më e ulët, rreth 70 centimetra, por do të jetë e gjerë 120 centimetra”, ka thënë Rakiq, të dielën, vetëm pak minuta pas rrënimit të murit. Rakiq ka siguruar se mburoja me konstruksion betoni do të jetë shumë e fortë dhe do të garantojë siguri për qytetarët e Mitrovicës së Veriut.
Etiketa: Kosovë, rakiq