E diel, 31 Gusht 2014
Tiranë – “Kryebashkiaku më kot në historinë e kryeqytetit”. Kështu e ka cilësuar kreu i qeverisë Edi Rama, kryebashkiakun e Tiranës, Lulzim Basha.
Në vijim të punimeve për restaurimin e sheshit “Nënë Tereza” me ardhjen e Papa Françeskut në shtator, kryeministri Rama ka përshëndetur sërish aksionin që po zhvillohet për prishjen e ndërtesave në shesh.
Teksa përshëndeti prishjen e ndërtimeve, apo “shkuljen e çibanëve nga kërthiza e Tiranës”- siç e quan kryeministri; Rama akuzoi kryetarin e bashkisë Bashën, se e ka braktisur kryeqytetin.
“Vazhdon shkulja e çibanëve nga kërthiza e Tiranës së braktisur prej kryebashkiakut më kot të historisë së kryeqytetit”, shkruan Rama.
Mesa duket kryeministri po ndjek çdo ditë aksionin e INUK-ut, pasi edhe ditën e djeshme, nëpërmjet një statusi në Facebook, përshëndeti “çlirimin” e Universitetit të Tiranës, nga godinat përreth tij.
Reagon Basha: E pakta që mund të bësh është të jesh mirënjohës
Menjëherë pas deklaratës, së Ramës reagoi edhe kryebashkiaku Lulzim Basha, i cili e quajti mosmirënjohës kreun e qeverisë, dhe e akuzoi atë se ka bllokuar investimet, punësimin dhe zhvillimin, me një “hakmarrje prej vagabondi”.
Duke iu rikthyer periudhës kur Rama ka qenë kryebashkiak, Basha u shpreh se e pakta që mund të bëjë një person që ka qëndruar 11 vjet në atë pozicion dhe ka marrë prej tij 150 mijë dollarë, është të jetë mirënjohës.
“Mosmirënjohja është patologji e karakterit. Nëse një qytet si Tirana të bën njeri, të punëson prej 11 vitesh, të jep mbi 150 mijë dollarë rrogë e sa e sa përfitime të tjera, më e pakta e njerëzores është mirënjohja. T’i bllokosh investimet, punësimin, zhvillimin, është hakmarrje prej vagabondi”, u shpreh Basha./shekulli/