E enjte, 31 Tetor 2013
Dy liderët e partive më të mëdha në vend kanë qenë të ftuar në ceremoninë e Festivalit të Filmit në Tiranë “TIFF”-“Tirana International Film Festival”. Edi Rama dhe Lulzim Basha kanë shmangur takimin me njëri-tjetrin.
Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga bashkëshortja Linda ka mbërritur i pari në ceremoni, e cila po zhvillohet në ambientet e “Kinema Millenium”. Më pas ka mbërritur kryetari i PD-së, Lulzim Basha, gjithashtu i shoqëruar nga bashkëshortja e tij. Kryetari Basha ka takuar në rreshtin e parë ambasadorin e BE-së, Ettore Sequi dhe anëtarë të jurisë, ndërsa ka shmangur takimin e duarve me kryeministrin Edi Rama, i cili ishte gjithashtu në vendin e parë, nga ku i ndante vetëm një karrige.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës ka thënë se ky festival po e rrit vit për vit Tiranën, si një qendër e rëndësishme kombëtare dhe ndërkombëtaren kulturore, si një vend me talente që përtërihen vazhdimisht. Ai ka thënë se ky aktivitet është një privilegj i madh për shqiptarët, sepse iu ofrohet mundësia të njohin kinematografinë e huaj.
“Për mua është privilegj i veçantë në emër të Bashkisë së Tiranës, i shpreh mirënjohje artistëve dhe organizatorëve të këtij festivali, që mblodhën artistë nga 91 vende të botës. Shqipëria dhe Tirana është e nderuar me praninë tuaj në këtë festival, sollët pjesë nga tradita e vendeve tuaja. Iu ofruat mundësinë artdashësve shqiptarë të njohin kinematografinë e huaj. Falë jush, Tirana u bë fragment i kryeqytetit të kinematografisë. Ky festival po e rrit vit për vit Tiranën, si një qendër e rëndësishme kombëtare dhe ndërkombëtaren kulturore, si një vend me talente që përtërihen vazhdimisht. Vetë festivali është sot një kratvizitë e Tiranës. Bashkia e Tiranës është e nderuar për ta mbështetur këtë festival, shpresojmë të kthehet në një traditë të bukur të kryeqytetit”.
Sipas tij, ky festival nuk është më një festival i dikujt, apo i një grupi, por është festivali i të gjithëve. “Uroj të gjithë fituesit, urimin më të veçantë e kam për çdo konkurrent. Pa garë nuk ka fitues. Sfida e re quhet cilësi”. Shekulli
Etiketa: Edi Rama, Lulzim Basha, Shqipëri