Rama: E respektojmë opozitën


E mërkurë, 27 Nëntor 2013

Në Parlament ka pasur debate mes mazhorancës dhe opozitës lidhur me përmbushjen e kushteve për integrimin në BE. Në fjalën e tij kryeministri i vendit Edi Rama, ka thënë se statusi nuk është gati, por ne do të punojmë deri në sekondën e fundit për ta marrë statusin. Ai ka folur edhe për debatin e opozitës, duke thënë se do të respektojë fjalën dhe diskutimin e deputetëve opozitarë dhe do bëjë çmos që Parlamenti të jetë sa më funksional.

“Sot ne jemi këtu për të diskutuar për një rezolutë të paraqitur nga opozita për marrjen e statusit. Statusi nuk është gati deri në sekondën e fundit dhe se kjo përpjekje, kjo rezolutë, ky debat ndihmon për të shkuar deri në çastin e fundit me gjithçka kemi në dorë. Ne nëpërmjet një vullneti në luftën e krimit të organizuar dhe korrupsionit do bëjmë gjithçka që kriteret të përmbushen. Ende duhet të bindmi se, një numër vendesh anëtare nuk janë dakord që ne të marrim statusin. Dhe ne s’kemi pse e fshehim këtë fakt dhe do bëjmë gjithçka që statusi të jetë gati, deri në dhjetor dhe Shqipëria ta marrë statusin”.

“Nga ana tjetër, sa po them, nuk do të thotë se nuk e mirëkuptoj edhe gjithë këtë përsiatje të gjatë të opozitës, jeni në detyrën tuaj, bëjeni ashtu siç e mendoni. Nga ana jonë nuk do dëgjoni ndonjëherë ato që kemi dëgjuar ne për vite më radhë si opozitë. Nuk do dëgjoni që jeni antievropianë, apo punoni ditë natë për të bllokuar Shqipërinë, pasi në fund të fundit ky është normaliteti midis një marrëdhënie mes nesh, që ka filluar një fazë të re me ndryshimin e vendeve, ju në opozitë dhe ne në shumice. Në një shumicë të cilësuar, ku kemi të drejtën për të bërë efikas programin për të cilin jemi votuar. Por nuk kemi arsye për t’u sjellë me ju, siç jeni sjellë me ne. Është një arsye për t’u treguar shqiptarëve dhe partnerëve tanë, se Shqipëria është e aftë të ketë një Parlament që vepron me të gjitha palët, dhe nuk vendos në pozicion të vështirë, asnjërën nga palët, që t’i japë fund Parlamentit jofunksional, dhe i aftë të shkruajë një kapitull të ri, që po e bëjmë çdo ditë, dhe kemi marrë vlerësime nga të njëjtë miq dhe të njëjtët partnerë”, tha Rama në Kuvend.

“Kemi mundësitë për të krijuar një debat normal mes palëve. Është e qartë për ne nga të gjitha kontaktet e përditshme që kemi me vendet që ende janë të dyshuara se ka disa angazhime të pambajtura, një bilanc zhgënjimesh të vazhdueshme, një bilanc që iu lë vend miqve dhe partnerëve për të mos qenë plotësisht të bindur se Shqipëria është gati, ndërsa ju siguroj se kemi gjetur mbështetjen e plotë dhe një dëshirë për të inkurajuar qeverinë e re që të vazhdojë në drejtimin që ka përcaktuar dhe të drejtojë ende më shumë luftën që ka hapur me krimin dhe korrupsionin, dhe në afat gjatë me gjithë pasojat e rrënimit të përgjithshëm të vendit, në radhë të parë rrënimit ekonomik dhe social të tij”.

Etiketa: ,
Të fundit