Rama insiston në dialog, letër të dytë publike për Bashën


E enjte, 23 Maj 2019

TIRANË – Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i është drejtuar për herë të dytë përmes një letre publike, kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Bashës në kohën kur vendi po gjendet në një krizë të rëndë politike.

“E mora reagimin Tuaj ndaj letrës së djeshme ende pa u “tharë boja” e saj dhe nuk jam aspak i çuditur, me refuzimin brutal të Dialogut nga ana Juaj. Por, duke qenë se detyrimi im është të këmbëngul, pa humbur durimin, në të vetmen rrugë që njeh demokracia, Dialogun, mbetem i vendosur t’Ju ofroj të gjithë gatishmërinë time, për t’i hapur rrugë Dialogut”.

Kreu i ekzekutivit shqiptar i ka bërë edhe një herë thirrje Bashës që të ulet në tryezën e dialogut siç ka shkruar ai në letër “pa kushte dhe pa humbur kohë”.

LETËR E DYTË PUBLIKE LULZIM BASHËS

Zoti Kryetar,

e mora reagimin Tuaj ndaj letrës së djeshme ende pa u “tharë boja” e saj dhe nuk jam aspak i çuditur, me refuzimin brutal të Dialogut nga ana Juaj. Por, duke qenë se detyrimi im është të këmbëngul, pa humbur durimin, në të vetmen rrugë që njeh demokracia, Dialogun, mbetem i vendosur t’Ju ofroj të gjithë gatishmërinë time, për t’i hapur rrugë Dialogut.

Natyrisht, Ju jeni në të drejtën Tuaj ta udhëhiqni grupimin Tuaj politik drejt humnerës, duke marshuar përditë sikur jetoni në një botë paralele, pa ligje, pa rregulla, pa të tjerë që mendojnë krejt ndryshe nga Ju në këtë vend (shumica dërrmuese, përfshirë edhe shumicën e votuesve Tuaj) dhe jashtë këtij vendi – pa përjashtim të gjithë miqtë e partnerët e Shqipërisë.

Ju jeni në të drejtën Tuaj t’u drejtoheni shqiptarëve sikur janë gjindje pa vetëdije, që s’dinë ç’është demokracia, ligji e vetë liria dhe t’i trajtoni miqtë e partnerët ndërkombëtarë të vendit sikur nuk ekzistojnë.

Ju jeni po ashtu në të drejtën Tuaj të synoni tërheqjen pas Jush të pak individëve që mbase, kushedi, mund të jenë gati të kryejnë krime zgjedhore e të humbasin lirinë e tyre, sipas parashikimeve të Kodit Penal për ato krime dhe më tej akoma, t’i thonë lamtumirë edhe lirisë së hyrjes në SHBA dhe në vendet e Bashkimit Europian, si persona të padëshirueshëm në një botë që rrotullohet përmes zgjedhjeve demokratike, jo përmes dhunës mbi to.

Por, i dashur Lulzim, për fat të mirë Ju s’jeni vetëm në këtë vend dhe as ata që do vijojnë t’Ju ndjekin në aventurën Tuaj të pashoqe, gjithnjë e më të paktë, nuk janë asfare populli i këtij vendi. I cili lirinë dhe të drejtën për të zgjedhur, nuk i ka marrë borxh nga Ju apo nga unë dhe po ashtu, nuk Ju’a ka borxh as Juve, as mua e askujt në botë, mosmbajtjen në kohë e në paqe të zgjedhjeve të radhës.

Kështu që përsëri Ju bëj publikisht thirrje: Ejani të ulemi në Tryezën e Dialogut! Pa kushte dhe pa humbur kohë.

Fushata e zgjedhjeve nis zyrtarisht në 31 maj dhe ditët e numëruara që kanë mbetur, duhen shfrytëzuar për dialog politik, jo humbur me kërcënimet e dëshpërura dhunënxitëse që nuk Ju turpërojnë vetëm Juve, po edhe vendin tonë e të gjithëve ne bashkë me të.

Ejani në Dialog të arsyetojmë si njerëz me përgjegjësi të mëdha dhe t’i ballafaqojmë divergjencat tona të mëdha, me forcën e arsyes, përpara se sa inercia e rrugës së gabuar që keni marrë t’Ju ketë degdisur në esfeltin e irrelevancës politike, megjithë grupimin Tuaj. Edhe njëherë, mua s’më duhet fati Juaj politik dhe as fati politik i atij grupimi – madje sipas meje, troç fare, rrënimi i plotë me duart Tuaja i grupimit që po udhëhiqni qorrazi është ogur i mirë për këtë vend e për vetë të ardhmen e institucionit të pazëvendësueshëm të opozitës – por ky moment me rëndësi të veçantë për Shqipërinë, më imponon t’Ju lutem të ktheni rrugë! Sepse Shqipëria s’ka kohë për të humbur për llogaritë e gabuara politike dhe aventurat antidemokratike të kujtdoqoftë.

Duke Ju garantuar se jam në dispozicionin Tuaj, në çdo moment dhe pa kushte për një Dialog për Shqipërinë, si edhe duke Ju siguruar se sikur të tërë të dëshpëruarit nga Reforma në Drejtësi të hidhen përpjetë, nuk kanë për të ndalur dot as zbatimin e Reformës në Drejtësi, as zhvillimin e zgjedhjeve në 30 qershor, uroj rikthimin Tuaj sa më të shpejtë në rrugën e arsyes.

Etiketa: , ,
Të fundit