Rama: Integrimi, qëllim i përbashkët


E mërkurë, 30 Mars 2016
Edi Rama

Edi Rama

Tiranë – Në një konferencë të përbashkët për mediet me komisionerin për Zgjerimin e BE-së, Johannes Hahn, pas përfundimit të tryezës së Dialogut të Nivelit të Lartë, Edi Rama tha se deri më tani është bërë progres me reformat.


Duke theksuar se ka ende punë për të bërë, Rama tha se fokusi është tek reforma në Drejtësi, dhe përmbushja e prioriteteve kyçe në thellimin e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Të çojmë përpara procesin e bërë deri këtu. Takimi i sotëm i Dialogut të Nivelit të Lartë e konfirmoi angazhimin e dyanshëm të Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian për progresin e bërë drejt stacionit të radhës që është çelja e negociata. U vunë në dukje arritjet e reformave që ndikojnë drejtpërdrejt në përmbushjen e kushteve për negociata. U konfirmua nga ana jonë vullneti i palëkundur për të thelluar reformat. Nuk është dhimbja, sakrificat dhe vështirësitë që sjellin reformat një detyrim që ia kemi BE-së, por një detyrim që ia kemi fëmijëve tanë për Shqipërinë e gjeneratës tjetër”, tha Rama.

Më tej kryeministri shtoi: “U konfirmua angazhimi ynë për reformën e thellë të drejtësisë si një reformë kyçe. Më e rëndësishëm është që ky është një proces që do ndërtojë kushte për të ndërtuar një sistem drejtësie të denjë për një vend që aspiron të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian. Miratimi i reformës së sistemin e drejtësisë është shtegu i duhur për çeljen e negociatave. Kjo reformë do të ketë efekte dhe në rritjen e cilësisë në luftën kudër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Edhe në raportet më të fundit është vënë theksi në procesin e investigimit dhe të ndëshkimit. Përtej punës kolosale dhe të suksesshme që ka bërë qeveria shqiptare përmes policisë së shtetit dhe agjencive ligjzbatuese në luftën kundër krimit”.

Gjithashtu, Rama i bëri thirrje në prezencë të komisionerit Hahn, opozitës që të ulen në një tryezë për të rinisur dialogun, për ato që ai i quajti axhendë kombëtare, siç është dhe reforma për drejtësinë.

“Ne konfirmuar vullnetin për një proces të hapur dhe për një dialog të vazhdueshëm me opozitën në komisionin për reformën, i cili nuk mund të kushtëzohet nga aspektet e politikës, sado të kushtëzuar të jenë për një palë apo një palë tjetër. BE e konsideron dialogun e nivelit të lartë si një urë për të ndërvepruar, por na krijon dhe kushtet që pala shqiptare të jetë e larmishme, por e unifikuar për qëllimin madhor; axhenda kombëtare e integrimit. Bazuar në eksperiencës e Dialogut të Lartë sot ftoj publikisht dhe në sytë e Hahn, Partinë Demokratike dhe liderishipin e saj, që të ulemi në një tryezë mes nesh, pa praninë e çmuar të miqve dhe jemi të gatshëm ta dëgjojmë me vëmendjen dhe me respekt PD. Pasi unë besoj se ekziston mundësia që të biem dakord që mosdakordësitë tonë ti trajtojmë në mënyrë të civilizuar. Ekziston mundësia që ti ndajmë axhendat partiake apo reformat legjitime të një shumicave nga axhenda kombëtare, ku nuk ka mospërputhje serioze kur vjen puna tek rruga e përbashkët e integrimit Europian”, tha Rama.

Nga ana e tij, Hahn deklaroi se “prioriteti është një gjyqësor funksional për qytetarët dhe investitorët”. Por, ai shtoi se të rëndësishme janë edhe zbatimi i ligjit të dekriminalizimit dhe reformës zgjedhore, “duke qenë se vitin e ardhshëm Shqipëria ka zgjedhje të përgjithshme”.

“Për sa i përket reformës, duhet të fokusohemi te ajo reformë dhe jo t’i ndërlikojmë gjerat. Unë u bëj thirrje të gjithëve që të ulen në tryezë dhe të bëjnë hapin e fundit”, u shpreh komisioneri.

“Çelja e negociatave për anëtarësim në BE është një datë, por duhet të përqendroheni te procesi. Duhet që vendi të nisë këtë proces, që të shohim angazhimin dhe të bëhen analizat përkatëse”, tha Hahn.

Tryeza e përbashkët Shqipëri-BE

Në tryezën e dialogut me Bashkimin Europian, kryeministri Edi Rama tha se “integrimi është qëllimi i përbashkët mes nesh e opozitës”.

Ndërsa, komisioneri Jonahes Hahn theksoi se integrimi “është tërësisht ushtrimi juaj, përvoja juaj, le të jemi optimistë. Mbetet ende shumë punë për të bërë”.

Komisioneri Hahn shtoi se “ne s’jemi këtu për t’ju mësuar, por për të moderuar dialogun përmes kësaj tryeze”.

Gjithashtu, Jonahes Hahn ka nxitur palët për miratimin e shpejtë të reformës së thellë në drejtësi. Ndërsa në tryezë, opozita përfaqësohet nga Majlinda Bregu, Arben Ristani dhe Eduart Halimi.

Leave a Reply

Të fundit