Rama: Kosova me regjim vizash padrejtësi cinike, turp për BE-në


E hënë, 23 Mars 2015

Tiranë – Më shumë se një vit nga mbledhja e Prizrenit, dy qeveritë shqiptare, ajo e Tiranës dhe e Prishtinës zyrtare, u mblodhën në takimin e dytë të përbashkët, këtë radhë në kryeqytetin e Shqipërisë. Mbledhja e përbashkët e dy qeverive u zhvillua në Pallatin e Kongreseve nën moton “Një tokë, Një popull, Një ëndërr”.

Duke folur para 40 ministrave të 2 kabineteve qeveritare, kryeministri Edi Rama lëshoi një mesazh të fortë ndaj BE-së, se mos heqja e regjimit të vizave për Kosovën është një turp. Rama lëshoi thirrje edhe ndaj autoriteteve maqedonase dhe serbe, që të respektojnë të drejtat e shqiptarëve. Kryeministri kosovar Mustafa, theksoi se forcimi i kapaciteteve ekonomike duhet të jetë prioritet mes 2 vendeve. Për Mustafën bashkimi mes Shqipërisë dhe Kosovës, do të ndodhi nën flamurin e Bashkimit Europian.

Organizimi spikati në shumë aspekte, veçanërisht dekori i tavolinës ku u zhvillua mbledhja. 40 ministrat e 2 vendeve, u ulën përreth një tavoline të rrumbullakët, që të jep idenë e bashkimit si një komb i vetëm, ndërsa tryeza ishte e veshur me flamurin e BE-së me ngjyrën blu dhe yjet përreth, tjetër simbol ky i qëllimeve dhe rrugës së përbashkët të dy shteteve, atë drejt integrimit evropian. Në mes të tryezës qëndronte e vendosur një shqiponja dykrenore, në versionin 3 dimensional, ndërsa krah saj flamujt e të dy vendeve. Një kënd i veçantë ishte dedikuar për nënshkrimin e marrëveshjeve dhe një tjetër për konferencën e përbashkët për shtyp të kryeministrave Rama dhe Mustafa.

Të fundit