Rama: Kurrë nuk kemi qenë më pranë këtij objektivi strategjik


E hënë, 19 Maj 2014

Bashkimi Evropian do të marrë vendimin për dhënien e statusit kandidat për Shqipërinë në qershor. Kryeministri, Edi Rama duke folur për këtë çështje në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, u shpreh, se jemi pranë marrjes së statusit.

“Po punojmë dhe po arrijmë të gjithë bashkë, si një skuadër e madhe, objektiva dhe rezultate të prekshme në rrugën drejt rilindjes së vendit dhe marrjes së statusit të vendit kandidat për Shqipërinë. Pas komunikimeve të ditëve të fundit, që unë dhe kryetari i Kuvendit kemi pasur me miqtë dhe partnerët tanë, kemi arsye të forta të besojmë se kurrë nuk kemi qenë më pranë këtij objektivi strategjik, të munguar për Shqipërinë në disa vite radhazi”, tha Rama.

Kryeministri u shpreh se, imazhi i Shqipërisë në sytë e ndërkombëtarëve ka ndryshuar me qeverinë e re. “Sot Shqipëria ka rifilluar të shihet ndryshe dhe të dëgjohet gjithnjë e më me shumë respekt, falë qeverisë së re dhe falë rezultateve tona të para që janë në përputhje të plotë me pritshmërinë e partnerëve ndërkombëtarë”, tha ai.

Gjatë deklaratës para deputetëve socialistë, Rama foli dhe për mundësinë e zhvillimit të një vizite në Holandë, që është dhe vendi që votoi për shtyrjen e dhënies së statusit për Shqipërinë. “Po lexoj edhe ftesën nga kryeministri holandez për një vizitë të afërt në Holandë, një takim që më parë dukej i pamundur”, u shpreh kryeministri.

Standard i ri

Sa u takon akuzave të opozitës, Rama tha se, bëhet fjalë për gënjeshtra dhe shpifje “nga një grup pushtetarësh të bërë tapë nga humbja e 23 qershorit që lanë që Shqipërinë të mbillte kanabis si kurrë më parë, që i kanë dhënë statusin vetes të shpëtojnë Shqipërinë nga zjarri i drogës”.

“Por, problemi i vendit tonë sot në raport me botën e veçanërisht me Evropën e bashkuar nuk është se e besojnë këtë histeri, por si ta bindim familjen evropiane që Shqipëria nuk ka vetëm faje, por ka dhe fajtore”.

Në këtë linjë, kryeministri ka nënvizuar se, është koha për një kapitull të ri. Në këtë pikë Rama foli për ndëshkimin e zyrtarëve të lartë, një standard që Shqipërisë i mungon në 24 vite demokraci.

“Do të vendosin një standard të ri të drejtësisë. Duhet ta çelim kantierin e ri për të cilin jemi përgatitur, reformën në drejtësi. Shqipëria e të gjithëve që akuzojnë dhe askush që dënohet, s’është Shqipëria që meritojmë dhe që presin partnerët. Ndëshkimi i të pandëshkueshmes është standardi evropian që na mungon sot prej shumë vitesh, por s’mund të na mungojë edhe për vite të tjera pa kufi. Vitet e këtij mandati të parë janë për ta vendosur njëherë e mirë këtë standard që dora e drejtësisë të mos ndalet pas atyre të veshur me kostumin e politikës dhe përballë të korruptuarish të veshur me petkun e drejtësisë”, tha Rama./shekulli/

Të fundit