E mërkurë, 22 Qershor 2016
Tiranë – Kryeministri Edi Rama paralajmëroi qytetarët se kush dëmton apo thyen matësit e energjisë elektrike, duke filluar nga data 1 korrik, nuk do të ketë energji elektrike.
“Ne jemi të angazhuar që t’i japim fund aforfesë. Ta kenë të qartë të gjithë ata që kujtojnë se duke thyer matësit do t’i shpëtojnë rregullit të përgjithshëm se, kush thyen matësin nuk ka për të marrë energji elektrike nga 1 korriku”.
Deklarata u bë nga Bulqiza, ku Rama ishte me ministrin Energjetikës, Damian Gjiknuri, për të ndjekur nga afër një nga projektet e rëndësisë së veçantë për energjinë, investimin e OSHEE me vlerë 180 milionë lekë të rinj për rinovimin dhe ndërtimin e 64 kabinave të reja dhe zëvendësimin e linjave ajrore prej alumini, në Bulqizë, Burrel, Shupenzë e Maqellarë. Administratori i Përgjithshëm i OSHEE-së, Ardian Çela u shpreh se do të përmirësojë ndjeshëm cilësinë e shërbimit për të gjithë këto zona, duke ulur dukshëm humbjet.
Ai informoi ndër të tjera se në fshatin Ostren i Vogël ku janë 140 abonentë, falë pajisjes me matës, do të marrë fund faturimi aforfe, i cili vazhdon prej 25 vitesh, fakt të cilin e dëshmoi edhe një banor i zonës. Edhe kryeministri Rama nënvizoi dy rëndësi për vendosjen e tyre: “E para për të mos rënduar njerëzit me fatura aforfe dhe secili të paguajë atë që konsumon dhe e dyta për t’i dhënë fund dhe për t’i vënë pikë historisë që dikush paguan dhe dikush nuk paguan. Kjo histori për ne i takon së kaluarës. Kush do që të jetojë me të kaluarën, do të jetojë në errësirë, nuk do të ketë drita”.