Rama: Në BE me çdo kusht


E hënë, 20 Korrik 2015

Romë – Shefi i ekzekutivit, Edi Rama, e nisi këtë mëngjes duke diskutuar në një emision italian. Ashtu siç paralajmëroi një ditë më parë, Rama ishte sot pjesë e panelit në emisionin “Agora Estate” të moderatores Serena Bortone, në televizionin italian Rai 3.

Në nisje të tij, vëmendja e moderatores për Shqipërinë u lidh pikërisht me anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian. “Ne duam të hyjmë në Evropë me të gjitha kushtet”, tha Rama.

Ai u shpreh i vetëdijshëm për vështirësitë që, duhet të kalojë vendi për të mbërritur në këtë destinacion. “Vazhdojmë të besojmë në këtë projekt të madh. Disa vende duan të dalin nga BE-ja, ndërsa ne duam të futemi. E dimë që anëtarësimi në BE nuk është diçka e lehtë. BE është një Evropë më e lidhur me fatet e njerëzve”, deklaroi Edi Rama.

Biznesi italian

Rama theksoi se 25 vite më parë ishin shqiptarët ata që udhëtonin drejt Italisë ndërsa sot ka shtetas italianë që vijnë të punojnë në Shqipëri. Ndërkohë, kryeministri bëri të ditur se është presioni i ulët fiskal, ai që i tërheq investitorët italianë drejt Shqipërisë. “Janë të shumtë sipërmarrësit italianë që kanë zgjedhur vendin tonë, për të bërë biznes, duke pasur në favor të tyre taksat e ulëta dhe forcën e lirë të punës. Bizneset përfitojnë nga presioni i ulët fiskal dhe nga forca e lirë punëtore”­, u shpreh Rama. Lidhur me emigrantët shqiptarë që jetojnë në vendin fqinj, Rama tha: “Janë rreth 400 mijë shqiptarë që sot paguajnë taksat në Itali”.

Kriza greke

Sa i përket krizës në Greqi, kryeministri theksoi se shteti helen është një vend që duhet modernizuar radikalisht. “Greqia është një rast shumë kompleks. Nuk mund të themi që Greqia kishte ose jo të drejtë. Greqia është një vend që duhet modernizuar radikalisht”, u shpreh Rama.

Emigrimi

Një temë e rëndësishme ishte edhe emigrimi masiv dhe rritja e kërkesave për azil. Lidhur me këtë, Rama fajësoi vendet dhe jo popujt, njëherësh edhe Bashkimin Evropian. Kryeministri theksoi se, duhet të rindërtohet projekti evropian.

“Nëse politik fshihet pas njerëzve, atëherë nuk ka më sens lidershipi dhe të ardhmeje. Nuk ka vend për të gjithë, kjo dihet, por diskutimi i emigracionit duhet të trajtohet nga Europa. Nëse në fund ikim nga BE dhe dalim nga euro dhe qëndrojmë në një kështjellë, atëherë kështjella bie. Duhet të rindërtohet projekti evropian, që na bën të gjithë më të fortë”, deklaroi Edi Rama./shekulli/

Etiketa: ,
Të fundit