Rama në Beograd në shtator


E mërkurë, 27 Gusht 2014

edirama

Tiranë – Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Serbi gjatë muajit shtator, raporton e përditshmja serbe “Danas”.

Kjo do të jetë hera e parë që një zyrtar i lartë shqiptar do të vizitojë Beogradin gjatë këtyre 70 viteve të fundit.

Duke cituar kabinetin e Ramës, artikulli në gazetën serbe “Danas” thotë se ftesa për vizitën, e dërguar nga kryeministri serb, Aleksandar Vuçiç ka mbërritur në Tiranë dhe se detyra e vetme që mbetet për t’u trajtuar tani, është caktimi i datës së saktë të vizitës.

Gazeta shkruan se supozohej që Rama të vizitonte Beogradin gjashtë muaj më parë, por vizita u vonua për shkak të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare që u mbajtën në Serbi në muajin mars.

Rama do të jetë kryeministri i parë shqiptar që viziton Serbinë gjatë shtatë dekadave të fundit. Kryeministri i fundit shqiptar që vizitoi Beogradin ishte Enver Hoxha, i cili vizitoi Serbinë në vitin 1947, i ftuar nga presidenti jugosllav Josip Broz Tito.

Në një intervistë të fundit të dhënë për Danas, Rama tha se, çështja më e rëndësishme për bisedimet me qeverinë e Beogradit është analiza e rajonit si një treg të përbashkët. Gjithashtu ai shtoi se një problem potencial që mund të lindë gjatë bisedimeve, mund të qëndrojë në mendime të ndryshme në lidhje me çështjen e Kosovës në Beograd dhe Tiranë.

“Qeveria shqiptare nuk do të mbajë ndonjë qëndrim përkrahës në lidhje me Kosovën. Ne e shohim Kosovën si një vend të barabartë me të gjitha vendet e tjera të rajonit. Kur ne prekim këtë çështje në bisedimet me Beogradin, do të këmbëngulim që Kosova të trajtohet si objekt i veçantë, e cila ashtu është në të vërtetë. Në çdo rast, nuk ka asnjë arsye që Shqipëria të flasë në emër të Kosovës”, u shpreh Rama./shekulli/

Të fundit