Rama: Nuk ka amnisti për evazionin


E mërkurë, 23 Shtator 2015

Tiranë – Kryeministri Rama deklaroi dje se nuk do të ketë asnjë amnisti për bizneset informale. Në diskutimin e tij në forumin e biznesit Shqipëri-Itali, Rama u shpreh se nuk do të ketë asnjë amnisti për cilindo biznes, që nisur nga situata kaotike në të shkuarën, ka ende mall ilegal.

“Nuk ka për të pasur amnisti, dhe tolerancë ndaj kujtdo që në inercinë e shkeljes së ligjit kërkon zgjatje kohe por u ofrojmë vetë-rregullim, pra të deklarojnë atë që kanë fshehur pa pasojë, dhe ta bëjnë sot pasi nesër kur të jenë objekt kontrolli do të përballen me pasojat”, tha Rama. Për kryeministrin kjo do të vendoste bizneset në marrëdhënie transparence me shtetin, kërkesë kjo e renditur dhe nga sipërmarrësit italianë.

Rama u ndal edhe tek reforma në drejtësi duke dhënë një mesazh të qartë për pozicionin e mazhorancës. “Do të krijojmë kushtet që Shqipëria të bëjë një reformë që mos të jetë thjesht një tjetër mandat letrash më shumë në procesin e ligjvënies, por të jetë një instrument për ta përmbysur sistemin e korruptuar të drejtësisë dhe për të krijuar kushtet që drejtësia të mos jetë mall që blihet”, tha Rama. Kryeministri ndërsa ftoi investitorët italianë në Shqipëri e mbylli fjalën me një batutë.

“Në fund të fundit, Shqipëria, në shumë pikëpamje është si një pjesë e Italisë edhe nga pikëpamja gjeografike, edhe nga pikëpamja klimaterike, edhe nga pikëpamja e mendësisë shoqërore. Kështu që besoj se është një terren ideal për të investuar, pa u ndjerë sikur po investon në një terren të huaj. Çdo italian që investon në Shqipëri, faktikisht investon në një pjesë të panjohur Italie dhe çdo ditë që punon me shqiptarët, provon se ne jemi faktikisht, dy popuj të ndryshëm, por krejtësisht një lloj tipologjie njeriu dhe shoqërie. Sigurisht, ju keni Leonardo Da Vinçin, ne kemi Skënderbeun, por po të shikojmë me sytë e të sotmes, ju i ngjani Leonardos, sa ç’i ngjajnë grekët e sotëm Platonit, ne i ngjajmë Skënderbeut, sa i ngjani ju Leonardos.”, tha kryeministri.

Etiketa: , ,
Të fundit