Rama: Pas Lazaratit, operacioni për kontrollin e armëve


E enjte, 10 Korrik 2014

Edi Rama Prizren Post

Gjatë diskutimit për armët në seancën e sotme të Kuvendit, kryeministri Edi Rama e cilësoi si të rëndësishëm projektligjin për përdorimin e armëve, dhe theksoi se pas aksionit në Lazarat, do të nisë një tjetër aksion, që është ai për kontrollin e armëve. Rama theksoi se ka ardhur koha që në mënyrë të ligjshme të ndërpritet mundësia për të përsëritur 21 janarin, kohë në të cilën plumbat shkrepeshin mbi protestuesit.

Diskutime të shumta mes opozitës dhe maxhorancës shkaktoi sot projektligji për përdorimin e armëve. Kryeministri Rama theksoi se ky projektligj është shumë i rëndësishëm dhe se pas aksionit në Lazarat, do të nisë një tjetër aksion nga Policia e Shtetit, që është ai i kontrollit të armëve.

“Ky ligj do na japë mundësinë për të kaluar nga një fazë xhungle në mbajtjen e përdorimin e armëve, në një fazë kur policia dhe shoqëria do kenë mundësi të vendosin nën kontroll armëmbajtjen”, deklaroi Rama.

Kryeministri theksoi se qasja e opozitës për armëmbajtjen pa lejë ka marrë fund, dhe se nëpërmjet ligjit do të ndërpritet mundësia për të përsëritur 21 janarin:

“Koha tregoi se qasja e opozitës për armëmbajtjen pa leje ishte dritëshkurtër, dhe reagimet e deputetëve tanë në opozitë në Komisionet e Sigurisë dhe Ligjeve që i’u kundërvunë rritjes disproporcionale të ndëshkimit për armëmbajtje pa leje, nuk solli asgjë tjetër veçse vazhdimin e të njëjtës histori. Sot duhet thënë edhe diçka tjetër që me vullnetin e shumicës dhe me propozimin qeverisë, vendoset në ligj në mënyrë të qartë dhe të prerë pamundësia për të përsëritur 21 janarin dhe për të shkrehur plumba prej vërteti mbi protestuesin kudo qofshin dhe për çfarë do arsye protestofshin”, tha Rama.

Duke i’u referuar akuzave të opozitës për vrasjen e biznesmenëve, Rama fajësoi sistemin e drejtësisë, duke e cilësuar si një sistem “të kalbur”, dhe të korruptuar. Ai deklaroi se sot falë sistemit të drejtësië të formuar gjatë qeverisjes së kaluar, qëndrojnë jashtë ata persona që duhej të ishin në burg, por që kanë rigjetur rrugën e lirisë përmes gjyqtarëve të korruptuar:

“Kisha dëshirë të them edhe unë diçka në lidhje me 13 biznesmenët e vrarë. Nuk ka asnjë arsye të shohësh gishtin kur tregon hënën. Është dritëshkurtësi. Ajo që tha ministri nuk ishte përpjekje për të përcaktuar statusin e të vdekurve por për të ftuar opozitën në një reagim serioz lidhur me vrasjet e paralajmëruara, si rezultat i një sistemi drejtësie të kalbur. Bëhet fjalë për njerëz që nuk është ministri i Brendshëm që i quan kriminelë, por që i ka përkufizuar si të tillë gjykata. I ka dënuar dhe kanë rigjetur rrugën e lirisë përmes gjyqtarëve të korruptuar. Janë mbi 100 raste që ministri i Brendshëm i ka bërë me dije Presidentit të Republikës. Askush ndër ta nuk ngre zërin, dhe nuk bashkon zërin me ne për t’ju dhënë fund këtyre kronikave të vrasjeve të paralajmëruara”./shekulli/

Të fundit