Rama shpall fitoren. PD: Fitorja e jona.


E diel, 23 Qershor 2013

Në prag të mbylljes së qendrave të votimit, dy liderët kundërshtarë të politikës, Sali Berisha dhe Edi Rama kanë dalë në konferenca shtypi.

I pari ka qenë kryeministri Berisha që pasi ka kërkuar që qendrat e votimit të mbahen hapur deri në votuesin e fundit, kurse kreu i opozitës në daljen e tij për media, shpalli fitoren.

Pas kësaj ka nisur një dalje intensive e cdo selie partiake ku secila shpalli se rezultati që do të dal nga këto zgjedhje kishte kaluar pritshmëritë e tyre. Në konferenca për shtyp, LSI, FRD, AK.

PD FISHEKZJARRE FITOREJE NË FIER
Ora 21:00 PD vetëshpall fitoren në qytetin e Fierit. Qindra fishekzjarre kanë ndezur qiellin e qytetit, nderkohe numri 2 i socialistëve Garamoz Ruci u shpreh se demokratet po festojne humbjen.

Të gjitha QV në qarkun e Fierit u mbyllën sipas afateve kohore të përcaktuara në KZ. Procesi i votimit u karakterizua nga një klimë e qetë, korrekte dhe pa tensione. Nuk ka patur problem me përjashtim të një rasti në QV Nr 3178 në fshatin Levan të komunës me të njëjtin emër, ku për shkak të grumbullimeve të shumta të njerëzve kryetari i KQV kërkoi ndihmën e policisë dhe situata u normalizua.

Momentalisht tani puna është trasferuar nga KQV në 10 KZAZ E Qarkut Fier për dorëzimin e kutive të votimit. Procesi është në vazhdim dhe gjithcka po shkon normallisht. Efektivat e policisë po shoqërojnë kutitë brënda ambienteve të KZAZ.
Nga burimet e para zyrtare mësohet se pjesëmarrja në votime ka qënë rreth 50.8%

Ndërkohë, në qytetin e Vlorës, aty ku kreu i PS-së Edi Rama kryeson listën e kandidatëve për deputet sipas policisë është mbyllur procesi i votimit në shumicën e qendrave dhe kutitë janë nisur për në KZAZ.

RAMA SMS NË CELULARË: NË KUTI, FITORJA E JONA. ATA QË PO IKIN PËRPIQEN TA PËRMBYSIN
Ora 20:50 -Në prag të nisjes së numërimit të votave, Kreu i PS Edi Rama ka dërguar një mesazh në celularët e qytetarëve ku bën thirrje që të mbështete fort fitorja e PS, pasi ata që po humbin sipas tij po bëjnë përpjekje ta përmbysin atë.

Mesazhi i plotë i Edi Ramës në celularët e qytetarëve
“Shqipëria votoi dhe zgjodhi Rilindjen! Fitorja në kuti është e thellë, por zgjedhjet nuk kanë mbaruar. Tani është pjesa më e rëndësishme e të gjithë procesit. Ata që po ikin do bëjnë përpjekjen e fundit të përmbysin fitoren. Secili nga ju, brenda apo jashtë QV, duhet të qëndrojë fort e të mbështesë fitoren! Edhe një përpjekje e fundit miq dhe pastaj ka vetëm Rilindje!”.
Dy orë më parë Rama shpalli fitoren e PS nga selia rozë. Sipas Ramës, Rilindja fitoi mbi rrënimin.

KRESHNIK SPAHIU: AK KA MARRË 200 MIJË VOTA NË SHQIPËRI
Ora 20:45 – Aleanca Kuq e Zi deklaron fitoren e partisë së saj në zgjedhjet e 23 qershorit duke deklaruar se në rang vendi ka marrë 200 mijë vota.

Në një konferencë për shtyp Kreshnik Spahiu ka denoncuar blerjen e Expolleve, nga ana e kreut të PS, Edi Rama.

‘AK me votën e saj të fshehtë, me aktivitet e saj ka mundur të administrojë dhe të hedhë në kutitë e votimit dhe pas disa çastesh do shënojmë fitoren spektakolare në kryeqytet. Fitorja e AK-së pas sondazheve të zhvilluara nga institutet dhe anëtarët e AK , kemi administruar adresat e gjithë anëtarëve të AK dhe sot shënojmë 200 mijë vota në Republikën e Shqipërisë. AK do të nxjerrë jashtë cdo disinformacioni që u gatuan nga disa parti politike dhe media, Expolle që sapo janë blerë nga PS dhe Edi Rama. Në Tiranë dhe Kavajë është shënuar një fitore historike e AK ashtu sic dhe janë fituar mandate nga një lumë votash në qarkun e Fier, Elbasan, Durres, dhe fitore suprizë në qarkun e Vlorës”, deklaroi Spahiu.

Kreu i kuq e zinjve, deklaroi se do të identifikojë cdo “bandit të PS dhe PS që guxon te prekë votat gjatë procesit të numërimit.

META: ‘ASHE’ FITORE PLEBISHITARE, LSI 15- 20 MANDATE
Ora 20:29 Kreu i LSI, Ilir Meta nëpërmjet një konference për shtyp ka shpallur fitoren e koalicionit të majtë. Meta ende pa filluar procesi i numërimit të votave, u shpreh bindur se në kuti do të dalin 20 mandate për koalicionin ‘Aleanca për Shqipërinë Evropiane”, ndërkohë që LSI do të marrë 15 deri 20 mandate.

“Dua të falënderoj për këtë fitore plebishitare për opozitën dhe për këtë votim të jashtëzakonshëm që ka ndodhur sot për LSI. Jam i bindur nga të dhënat tona dhe vlerësimet e pavarura se ASHE ka tashmë në kuti 80 mandate, dhe LSI ka në kuti 15 deri në 20 mandate”, u shpreh Meta i cili duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve, tha se bindja e tij bazohet në Expollet dhe përllogaritjeve online.

Lideri i LSI i bëri thirrje komisionerëve dhe numëruesve në qendrat e votimit që të vijojnë procesin normalisht, për ti dhënë fund njollës që kryeministri i bëri procesit me trysnin që ushtron mbi votuesit.

“E rëndësishëm procesi të vijojë normalisht. Komisionerët dhe numëruesit tanë të bëhen pjesë e një procesi që na nderon si një vend evropian. Jam i bindur se angazhimi qytetar për këtë proces që u minua nga Berisha do të bëjë gjithçka për të lënë pas njollat që procesi mori për të arritur ato objektiva të pamundura të ish-kryeministrit Berisha për të bërë trysni mbi votën e qytetarëve” tha Meta.

Kreu i LSI, siguroi se koalicioni i majtë dot mbrojë votën plebishitare të Shqipërisë, deri sa vota e fundit të numërohet.

FRD, TOPI ENTUZIAST: KEMI KALUAR PRITSHMËRITË
Ora 20:15-Kreu i Frymës se rë Demokratike, Bamir Topi tha se FRD pret një rezultat përtej pritshmërive. Nëpërmjet një konference për shtyp nga selia e FRD, Topi theksoi rëndësinë e pritjes së rezultatit me qetësi.

“Ne presim rezultat madje më shumë se aq, jemi mbi pritshmëritë tona. Puna nuk ka përfunduar, ne presim që mbas të gjithë të dhënave, një rezultat jo vetëm në kufijtë e pritshmërisë, por më shumë se aq. Unë i bej apel të gjithë partive politike, mbarë shoqërisë që në këtë moment ta presim rezultatin me shumë qetësi. Është një moment shumë i rëndësishëm, që do të bëjë të mundur fundin e tranzicionit.”- tha Topi.

Topi dënoi ngjarjen e shënuar në pret e para të ditës në Laç, ndërsa ngushëlloi familjen. Kreu i FRD falënderoi të gjithë ata që kanë kontribuar në mbarëvajtjen e procesit të votimit.

EXIT POLL, CIVITAS ALBANIA: PD 42%, NDËRSA PS 40%
Ora 19:00-Civitas Albania ka shpallur rezultatin e sotëm te exit poll-it te tyre, ku sipas të dhënave, PD ka fituar me 42%, ndërsa PS me 40%.

Ndërsa rezultatet sipas koalicioneve, Exit Poll, Civitas theksoi se “koalicioni i majtë 46%, në rang kombëtar. Koalicioni i djathtë 48 % në rang kombëtar”.

Civitas Albania ka realizuar Exit Poll-in me Anzalone Liszt Research (ALR), një firmë e specializuar në hulumtime.
ALR operon prej 20 vitesh dhe ka kryer exit poll-e në SHBA duke anketuar në 9 shtete për zgjedhjet e vitit 2008 dhe më pas për zgjedhjet e 2012.

BREGU: PD KA FITUAR BINDSHËM, RAMA DISFATË SPEKTAKOLARE
Ora 19:30 Partia Demokratike shpall fitoren paraprake, edne pa u mbyllur qendrat e votimit, të cilat kanë kaluar orarin zyrtar (ora 19:00). Pas shpalljes së fitores nga ana e kreut të PS-së, Edi Rama, në një konferëncë për shtyp Majlinda Bregu tha se Rama do të përjetojë fitore më të thellë se ajo e vitit 2009.

“Rama është kopja e keqe e vetes së tij. Të njëjtën gjë bënte ne 2009. Ju siguroj se emër të PD që sondazhet tona tregojnë se shqiptarët kanë votuar bindshëm për ne. I bëjmë thirrje , të fgjtiëh komisionerëve dhe vëzhguesve tanë të mbyllim me sukses ligjërisht këtë. Edi Rama vulosi disfatën e radhës, por këtë radhë më të thellën. Sondazhet tona dhe trendi i votës së qytetarë konfirmojnë fitoren e aleancës sonë. Zoti Rama shpresoj se ka pasur një pritshmëri të mos humbte thellë, por humbje spektakolare si këtë radhë nuk ka përjetuar asnjëherë”, deklaroi Bregu.

Bregu duke komentuar vrasjen në Laç tha se kjo çështje i takon organeve të Prokurorisë. “Viktima nuk ishte votues në Lac, por në Tiranë, tha Bregu.

PS, EDI RAMA: NGA TË DHËNAT DERI TANI, RILINDJA KA FITUAR MBI RRËNIMIN
Ora 19:00 Kryetari i PS, Edi Rama ka deklaruar në një dalje për shtyp në selinë socialiste se nga të dhënat paraprake që disponohen, e majta ka fituar zgjedhjet parlamentare.
“Bazuar mbi të dhënat tona , Rilindja ka fituar mbi rrëninim.
E dyta, Aleanca për Shqipërinë europiane do e realizojë objektivin e shpallur të mandateve.
E treta: Komisionerët dhe kqz, kanë përpara ligjin elektoral që përcakton qartësisht modalitetet sesi duhet të veprohet kur mbërrihet limiti kohor, ora 19:00”.

Me pas Rama shkroi nje shenim Facebook
“Edhe sot keni qenë fantastikë! Të dhënat tona të brendshme flasin për fitoren e dëshiruar, por s’ka mbaruar. Mbaron vetëm kur fitorja të vuloset dhe festa të fillojë. Deri atëherë ka ende shumë punë. Duke nisur nga këto 30 minuta të fundit për të votuar. Kjo kohë është flori! Kush s’ka votuar të vrapojë drejt qendrës së votimit.

Kush ka votuar të rendë përmes telefonit nga numri në numër për të verifikuar se çdokush në adresarin tuaj ka votuar! Kush është jashtë të bëjë të njëjtën gjë, ju lutem mos neglizhoni asnjë sekondë të këtyre 30 minutave të paçmueshme.
Votoni votoni votoni! Rilindja është tek pragu. Shtrojani rrugën e mbetur me sa më shumë vota akoma. Kjo është edhe mbrojtja më e sigurt e votës. Dyfishimi, trefishimi, shumëfishimi i votës tënde!
Forca, kemi edhe 30 minuta për të bërë histori!”

BERISHA: DO RESPEKTOJ VERDIKTIN E SOVRANIT
Ora 18:30 Kryeministri Sali Berisha në një konferencë për mediat në orën 18:30 minuta i pyetur mbi rezultatin për këto zgjedhje, tha se “Partia Demokratike do të respektojë pa asnjë hezitim verdiktin e sovranit”.
Madje më tej tha se “këtë premtim apo garanci nuk e ka degjuar ‘nga shoku i Kurbanit’.

Ndërsa i pyetur se gjatë fushatës ka rënduar fjalorin me akuza, kryeministri përdori një shprehje të urtë popullore “më thoni me kë rri të të them si je. Unë Ramën kisha përballë”.

ZHVILLOHEN ZGJEDHJET PARLAMENTARE
Zgjedhjet e përgjithshme të 23 qershorit 2013 janë të tetat që zhvillohen në Shqipëri, që nga vendosja e sistemit pluralist politik në vitin 1991. Shqiptarët vendosin me votë për ata që do na qeverisin në 4 vitet e ardhshme. Procesi i votimit ka nisur që në orën 7:00 të 23 Qershorit, për t’i dhënë popullit të drejtën të vendosë me votë për 140 parlamentarët e rinj. Simbolikisht kryetarja e KQZ-së Lefterie Lleshi ka hapur qendrën e votimit tek Akademia e Arteve, aty ku edhe ka votuar.

3 milionë e 271 mijë e 885 zgjedhës janë thirrur për të votuar. Procesi i votimit ka nisur normalisht në shumicën e qendrave të votimit, ndërkohë që në disa prej tyre ka patur vonesa dhe incidente të vogla.

Rreth orës 09:00 një ngjarje e rëndë ka ndodhur pranë një qendre votimi në gjimnazin “At Shtjefën Gjeçovi” Laç, ku janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri. Sipas policisë, një person ka humbur jetën dhe tre të tjerë janë plagosur. Mësohet se i vdekur ka mbetur simpatizanti i LSI-së, Gjon Gjoni. Në këtë incident mbeti i plagosur edhe kandidati i PD-së, Mhill Fufi. Për ngjarjen ende asnjë i ndaluar, policia shoqëron 7 persona si dëshmitarë.

(d.b/e.m/BalkanWeb)

Të fundit