Rama: Shqipëria s’është Kolumbi


E martë, 13 Maj 2014

Kryeministri Edi Rama komentoi për herë të parë akuzat e opozitës për lidhje me trafikun dhe veçanërisht për ngjarjen e Divjakës, e cilësuar nga Partia Demokratike si arsye e mjaftueshme për të thërritur protesta dhe kërkuar dorëheqjen. 

Ashtu sic kishte lajmëruar edhe më herët, kryeministri doli pak pas orës 18:00 përpara mediave. Në nisje të fjalës ai hodhi dyshimet mbi një inskenim të gjithë ngjarjes së Divjakës për t’u përdorur politikisht dhe akuzoi opozitën se me fushatën e saj po përbalt imazhin e vendit.

“Në ditën për diell një avion që pasi fluturon mirë e mirë duke u fotografuar, filmuar dhe parë nga dëshmitarët vendos të ulet në plazhin e Divjakës, opozita lëshohet me kuç e me maç kundër meje, logjikës së thjeshtë të shqiptarëve, kundër interesit kombëtar. Lëshohet pa asnjë skrupull, pa asnjë sens mase, pa asnjë respekt kohe që i duhet të vërtetës për të dalë në këto raste dhe pa asnjë kujdes së nga gjithë kjo përbaltje tërësisht politike mund të njolloset jo vetëm e policia, por e tërë Shqipëria. Lëshohet një për të gjithë dhe të gjithë për një, e tërë lukunia e pushtetit që e la 9 muaj më parë Shqipërinë në një gropë dëshpëruese varfërie, papunësie, plehrash dhe pisllëku. A ka shqiptarë të besojë që cdo natë nisen nga Divjaka avionë me drogë dhe askush s’e paska parë, përvec plakut të SHQUP-it? Po të ma thonin sërish nesër dhe pasnesër në Kuvend, po të më thonin që në Divjakë ngrihen avionë, do t’u përgjigjesha sërish që në Divjakë ngrihet një lukuni mushkonjash”, tha Rama.

Kryeministri rrëzoi akuzat e ngritura se nuk i mori seriozisht akuzat dhe tha se në Divjakë janë ulur avionë droge.

“Është e pavërtetë që ne nuk e morëm seriozisht këtë cështje, por ne nuk mund të merrnim seriozisht cmendurinë që në Divjakë paska avionë që ngrihen cdo natë”, tha Rama.

Kryeministri vijoi se policia po kthehet në krye të detyrës dhe për këtë flasin shifrat e drogës së kapur, ndërkohë që sa i përket akuzave të drejtpërdrejta kundër tij u shpreh:

“S’ka asgjë të vërtetë në asnjë fjalë që lidh emrin tim me trafikun, me të zezat dhe të këqiat ndaj këtij vendi që e dua me gjithë fuqinë e shpirtit tim dhe mbi të gjitha njerëzve, të gjithë ju që më bëtë nderin duke më vënë në krye të qeverisë. Të jeni të bindur që kurrë nuk mund të bëj gabimin që të veproj kundër interesave tuaja. Nuk jam bërë Kryeministër për t’u pasuruar, por për ta bërë më të pasur, më të qetë atdheun tonë, për t’u mbështetur ju në cdo gjë dhe për cdo gjë”, tha ai.

“Mua s’më hidhëron lufta barbare politike dhe kush lidh emrin tim me trafikun e drogës unë i rezervoj mëshirën time për llumin ku është zhytur shpirtërisht dhe moralisht, por kush lidh Shqipërinë e sotme me Kolumbinë e djeshme meriton përbuzjen’, shtoi Rama.

Kreu i qeverisë shprehu vendosmërinë për të vazhduar me luftën kundër trafikut dhe shkëputjes së lidhjeve të strukturave shtetërore me të. Sipas tij, trafiku aty ka qenë dhe në përmasa akoma më të mëdha gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike, por vetëm tani po goditet nga policia. Rama shprehu mbështetjen dhe besimin tek Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri.

“Cdo shqiptar sot duhet të jetë i bindur për integritetin dhe aftësinë e Saimir Tahirit dhe po ashtu edhe të Ministres së Mbrojtjes. Lufta që ne kemi hapur frontalisht kundër trafikut të drogës është vetëm në fazën e parë të saj. Lazarati i famëkeqësuar botërisht as nuk u mboll për herë të parë me ne në qeveri, as prodhoi për ne vota dhe as u mor ndonjëherë në mbrojtje nga selia jonë. Është ndjerë rehat-rehat verën e shkuar nën hundën e pushtetit të shkuar. Reagimi i shtetit ka ardhur dhe do të vijë vetëm duke u përforcuar dhe laku mbytës i trafikut do të vijë duke u ngushtuar”, deklaroi Rama.

Etiketa: , ,
Të fundit