Rama: Sot votuat reformën e shtetit modern shqiptar


E hënë, 22 Qershor 2015

Tiranë – Kryeministri Edi Rama ka falënderuar sot të gjithë qytetarët dhe qytetaret që u bënë pjesë e votimit, pavarësisht se për kë kanë votuar.

Përmes postimit të një videoje falënderuese në Facebook, kreu i qeverisë shqiptare u shpreh se sot, u votua reforma e madhe e riorganizimit administrativ të shtetit shqiptar që nga nesër do të jetë një shtet më modern.

Rama theksoi se ditën e sotme u vendos fati i barabartë i një qytetarie mes banorëve të qytetit dhe fshatit dhe u hap një epokë e re në marrëdhëniet mes familjeve që jetojnë në fshat dhe qeverisë vendore.

Statusi i plotë në Facebook:

FALEMINDERIT!

I falënderoj me respekt të gjithë qytetarët e qytetaret që u bënë pjesë e votimit të sotëm, pavarësisht se për kë votuan, dhe u shpreh me përulësi mirënjohjen të gjithë atyre që me votën e tyre e investuan besimin tek kandidatët e Aleancës për Shqipërinë Europiane.

Kjo video e shkurtër është kartolina e falenderimit tim për të gjithë zgjedhësit e këtij 21 qershori historik. Sot u votua reforma e madhe e riorganizimit administrativ të shtetit shqiptar që nga nesër do të jetë një shtet më modern. U vulos vendimi historik për të barazuar përfaqësimin e grave me burrat në kuvendet e reja vendore të Shqipërisë. U vendos status i barabartë qytetarie mes banorëve të qytetit dhe fshatit dhe u hap një epokë e re në marrëdhëniet mes familjeve që jetojnë në fshat dhe qeverisë vendore.

Ju të gjithë, të majtë e të djathtë, me apo pa parti, njerëz të zakonshëm qytetarë të përgjegjshëm të këtij vendi, i bëtë zgjedhjet e sotme më të mirat, më të lirat e të ndershmet që kemi zhvilluar deri më sot. Po padyshim, edhe më domethënëset në historinë e zgjedhjeve vendore në Shqipëri.

Të fundit