Rama: U bëmë familje dronësh më duket


E mërkurë, 12 Nëntor 2014

rama_me_gazetaret

Tiranë – Pas kthimit nga vizita 2-ditore në Serbi, kryeministri Edi Rama ka dalë në një konferencë për shtyp për këtë çështje. Rama shprehur falënderim për palën serbe sa i takon organizmit dhe kujdesit të treguar që të ndihej plotësisht i qetë. Kryeministri shprehur mirënjohje të thellë dhe për shqiptarët e Preshevës për takimin e rezervuar.

“E kam pasur të pamundur, dhe besoj do të kem të pamundur, ta tregoj me fjalë atë që kam ndjerë dhe posaçërisht peshën e jashtëzakonshme të përgjegjësisë kur më është dorëzuar titulli lartë i “Qytetar Nderi”, të një territori shqiptarësh që kanë vuajtur shumë, kanë sakrifikuar shumë, janë penguar shumë për të pasur një jetë normale dhe që jam krenar që më në fund ndjehen të përfaqësuar dhe të përkrahur”, tha Rama.

“I siguroj të gjithë motrat dhe vëllezërit tanë në Luginë, se nuk do të rresht dhe nuk do të reshtim përpjekjet tona për të garantuar që ata të gëzojnë të njëjtat liri dhe të njëjtat të drejta që gëzojnë serbët në Veriun e Kosovës. E nuk duam as më shumë e as më pak, por atë që na takon nga të tjerët.”

Duke e ditur reagimin pozitiv që ka shkaktuar qëndrimi që ai mbajti në Beograd për Kosovën, Rama u shpreh me fjalë modeste duke thënë se, “dua t’u them përsëri shumë sinqerisht se unë personalisht nuk ndjehem në lartësinë e jashtëzakonshme të fjalëve të mira në adresën time. Jam i lumtur të ndihem në lartësinë e pritshmërisë së njerëzve tanë.”

“E kam shumë të nevojshme të reflektoj për të kuptuar deri në fund gjithë këtë mbështetje entuziaste në adresën time. Por, një gjë jua them të gjithëve me siguri: Sot falë gjithë kësaj mbështetje ndihem më i vogël se dje dhe e shoh përgjegjësinë si një mal ende më të lartë se dje. Padyshim, do të bëj gjithçka që më takon për të qenë në lartësinë e kësaj përgjegjësie të jashtëzakonshme”, tha Rama.

Më tej, kryeministri, tha se është ndier krenar dhe për median shqiptare duke shtuar se, “do të doja që dhe median në Serbi ta shihja të çliruar nga një kompleks i çuditshëm ndaj shqiptarëve të sotëm”./shekulli/

Leave a Reply

Të fundit