Rasti ‘Medikus’, gjykimi zhvillohet me dyer të mbyllura


E mërkurë, 27 Shtator 2017

Seancë e mbyllur në gjykimin e rastit “Medicus” u zhvillua edhe dje, kur dëshmoi një dëshmitar i mbrojtur.

Mjekja ligjore, Carmen Barbu, që paraqiti raportet e saj për dy dëshmitarë të mbrojtur të enjten, kishte thënë se atyre u mungonin veshkat e majta, edhe pse sipas saj nuk kishte ndonjë arsye mjekësore për heqjen e veshkave të tyre.
Dëshmitari i djeshëm i mbrojtur ishte njëri nga ata që iu hoq veshka, ndërsa për sigurinë e tij ishte vendosur që ai të dëshmojë me video-lidhje nga një vend tjetër.

Në këtë proces gjyqësor, Lutfi Dervishi që ishte pronar i Klinikës “Medicus” në të cilën u krye transplantim i veshkave, akuzohet për trafikim me qenie njerëzore dhe krim të organizuar, ndërsa Sokol Hajdini për lëndim të rëndë trupor.

Pjesë e këtij gjykimi ishte edhe Arban Dervishi, djali i Lutfi Dervishit, por procedura ndaj tij është veçuar, ngase ai ndodhet në arrati.

Urologu Lutfi Dervishi ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë me 8 vjet burg në vitin 2013, ndërsa Sokol Hajdini me 3 vjet.

Gjykata e Apelit më pas ia kishte vërtetuar dënimin Dervishit, ndërsa Hajdinit ia kishte shtuar vitet e dënimit me burg nga 3 vjet në 5.

Pastaj Gjykata Supreme e riktheu përsëri në rigjykim Rastin “Medicus”, ndërsa Lutfi Dervishi që ndodhej në arrati, u arrestua disa ditë pas vendimit të supremes për rigjykim.

Etiketa:
Të fundit