E hënë, 1 Tetor 2018
Prishtinë – Sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë do të mbahej shqyrtimi fillestar në rastin e njohur si “Pronto”.
Megjithatë, kjo seancë nuk është mbajtur.
Disa nga akuzuarit e aferës së përgjimeve “Pronto” kanë dalë sot para gjykate, por jo të gjithë ishin të pranishëm. Adem Grabovci, Zenun Pajazitaj dhe Besim Beqaj nuk ishin prezent në këtë seancë, ndërsa seanca e thirrur për sot me vendim të gjykatës është shtyrë për 15 nëntor.
Të akuzuarit Grabovci e Beqaj kishin kërkuar shtyerjen e seancës me arsyetimin se nuk mund të jenë prezent për shkak agjendës së ngjeshur.
Në këtë çështje penale janë të akuzuar njëmbëdhjetë persona me funksione të larta zyrtare: ish-deputeti Adem Grabovci, ministri aktual Besim Beqaj, deputeti aktual Zenun Pajaziti, dy ish-sekretarë të përgjithshëm, Ilhami Gashi dhe Xhavit Dakaj, ish-zëvendësministri Fatmir Shurdhaj, këshilltari politik në MPB Sadat Gashi, ish-drejtori i bordit të ndërmarrjes publike “Radoniqi-Dukagjini” në Gjakovë Ismet Neziraj, ish-drejtori i bordit të ndërmarrjes publike “Hidro-Drini” në Pejë Rexhë Abazi, ish-kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Prizrenit Nijazi Kryeziu dhe ish-shefja e Njësisë për furnizim në Ministrinë e Shëndetësisë, Arbenita Pajaziti.
Sipas aktakuzës, të pandehurit kanë keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare duke bashkëpunuar në mes vete për dhënien e privilegjeve dhe përparësive në mënyrë të kundërligjshme personave të cilët kanë konkurruar në funksione të rëndësishme, siç janë: drejtor për ndërmarrjet publike qendrore, kryeshef ekzekutiv i Agjencisë së Regjistrimit në Ministrinë e Punëve të Brendshme, kryeshef i Agjencisë për Produkte Medicinale dhe koordinator i Qendrës së Regjistrimit Civil në Komunën e Klinës, duke mohuar dhe kufizuar liritë dhe të drejtat e kandidatëve të tjerë, të garantuara me ligj.
Etiketa: Adem Grabovci, pronto