E shtunë, 15 Prill 2023
PEJË – Prokuroria Themelore në Pejë, sot pritet të bëj kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj personit të dyshuar për vrasjen e rëndë.
“Sot pritet të bëhet kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit”, ka thënë shkurt Nikçi.
Telegrafi po ashtu kontaktoi edhe prokuroren e rastit, Sahide Gashi, mirëpo e njëjta nuk u prononcua për rastin në fjalë.
Ndërkaq, në ngjarjen tragjike që ndodhi pasditen e së premtes në Pejë, dyshohet se djali vrau nënën e tij.
Vrasja është konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës për rajonin e Pejës, ndërsa vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes.
I dyshuari është arrestuar pas ngjarjes së rëndë.
“Rreth orës 16:00 policia është njoftuar për një rast që ka ndodhur në rrugën ‘Mbreti Zog’ në Pejë. Me të arritur në vendin e ngjarjes, policia ka kuptuar se bëhet fjalë për vrasje të rëndë. Në vendin e ngjarjes ka dalë edhe ekipi mjekësor, i cili ka konstatuar vdekjen e viktimës. I dyshuari është arrestuar”, ka deklaruar Driton Rugova nga Policia e Pejës.
Pas rastit tragjik të premten ishte deklaruar edhe prokurorja e rastit, Sahide Gashi.
Ajo në një deklaratë për media ka thënë se kanë siguruar dëshmitarë okularë të ngjarjes.
Prokurorja Gashi tha se kanë provuar të marrin në pyetje të dyshuarin, mirëpo i njëjti sipas prokurores, nuk ka qenë në gjendje të flasë.
“Kemi dalë në vendin e ngjarjes së bashku me Njësitin e Forenzikës ku janë izoluar të gjitha gjurmët, janë mbledhur të gjitha provat. Kemi urdhëruar autopsinë e të ndjerës, gjithashtu kemi siguruar dëshmitarë okularë të ngjarjes. Kemi provuar që të dyshuarin ta marrim në pyetje, mirëpo i njëjti nuk ka qenë në gjendje në prani të mbrojtësit, kështu që kemi urdhëruar që nesër në prezencën e psikologut dhe avokatit mbrojtës të provohet të merret deklarata e tij”, tha të premten prokurorja, duke shtuar se do të vazhdojnë me hetime./Telegrafi
Etiketa: Aktuale, Pejë, Vrasje