E enjte, 20 Qershor 2013
Në mandatet e presidentëve Florentino Perez e Ramon Calderon sulmuesit gjithmonë kanë qenë prioritet i skuadrës së Real Madridit. Në të vërtetë, Reali me Calderonin dhe Perezin në krye ka shpenzuar 250 milionë euro në repartin e sulmit. Kjo shumë e parave është shpenzuar prej vitit 2000, ndërsa gjatë kësaj vere pritet sërish të shpenzohet shumë në sulmues, shkruan gazeta sportive Marca, transmeton Koha Ditore.
Në mesin e këtyre sulmuesve që kanë qenë pjesë e Realit, ka pasur edhe prej atyre që janë transferuar me kosto zero si argjentinasi Javier Saviola e togolezi Emmanuel Adebayor. Mirëpo rekordin e ka vendosur portugezi Cristiano Ronaldo, i cili në verën e vitit 2009 u transferua nga Manchester Unitedi për 94 milionë euro. Mirëpo për dallim nga të tjerët, Ronaldo ka shpaguar çdo cent të shpenzuar në të, pasi deri më tash ka shënuar 202 gola në 199 ndeshje me madrilenët.
Po ashtu edhe disa sulmues të tjerë sikur Ronaldo kanë shpaguar veten. Sulmuesi brazilian Ronaldo për pesë vjet të kaluar te Reali pati shënuar 104 gola në 177 paraqitje. Ai qe transferuar te Reali në verën e vitit 2002 nga Interi për 45 milionë euro. I suksesshëm te Reali qe treguar edhe holandezi Ruud van Nistelrooy (2006-2010). Ai në vitin 2006 u transferua nga Menju për 15 milionë euro dhe pati shënuar 64 gola në 96 ndeshje. Dhjetë milionë euro Reali i pati shpenzuar në verën e vitit 2000 për spanjollin Pedro Munitis të transferuar nga Racing Santanderi, të cilin e pati lënë të lirë dy vjet më vonë.
Mirëpo, te Reali ka pasur edhe sulmues që kanë kushtuar shumë e nuk kanë bërë asgjë. Sulmuesi brazilian Robinho, në vitin 2005 qe transferuar nga Santosi për 25 milionë euro dhe pati shënuar vetëm 35 gola në 132 paraqitje. Një vit më herët Reali pati transferuar edhe anglezin Michael Owen nga Liverpooli për 15 milionë euro, të cilin e largoi një vit më vonë.
Gonzalo Higuain qe transferuar në vitin 2007 nga River Plate për 12 milionë euro. Ndërsa Karim Benzema kushtoi 35 milionë euro në vitin 2009 kur kaloi nga Lyoni. Si Benzema ashtu edhe Higuain pritet të largohen nga Reali gjatë kësaj vere, pasi krerët e klubit nuk kanë mbetur të kënaqur me kontributin e tyre.
“Te Reali gjithmonë kërkohet një sulmues, i cili do të jetë në gjendje të shënojë sa më shumë gola që të jetë e mundur. Për repartet tjera nuk kemi telashe, gjithmonë kemi pasur probleme me sulmin”, tha presidenti aktual Perez, i cili gjatë kësaj vere synon të transferojë dy sulmuesit uruguaianë Edinson Cavani e Luis Suarez. I pari ka një klauzolë lirimi prej 63 milionë eurosh, ndërsa i dyti 45 milionë euro.
“Në edicionin e ri besoj se sulmin do ta kemi edhe më të fortë”, tha Perez.
Etiketa: La Liga, Real Madrid