Receta për të bërë bakllava turke?


E mërkurë, 7 Janar 2015

bakllava500

Përbërësit:

700 gr miell

200 ml vaj misri

70 ml qumësht

70 ml kos

2 të verdha veze + 1 vezë e plotë

1 lugë gjelle limon i shtrydhur

600 gr gjalpë i shkrirë

pak niseshte (për të lyer petët)

500 gr arra të qëruara e të grira (për mbushjen)

Përbërësit për sherbetin:

1.2 l ujë

1.8 kg sheqer

pak vanilje dhe karafil (sipas dëshirës)

Përgatitja për Bakllava Turke

Sitet mielli dhe hapet në formë rrethore. Hidhen të gjithë përbërit brenda përveç gjalpit. Përzihet masa me dorë duke marrë pak nga pak miell, derisa të laget e gjithë masa e miellit. Ngjishet brumi si brumë byreku dhe mbështillet me qeskë kuzhine dhe lihet për një orë të pushojë. Më pas merret brumi dhe ndahet në tetë pjesë.

Çdo pjesë ndahet në 10 toptha të vegjël. Merren 10 të parët dhe hapen me diametër rreth 20 cm duke i spërkatur vetëm njëherë me niseshte. Pasi janë hapur të 10 petët e para me diametër 20 cm, vendosen njëra mbi tjetrën. Bëhet një kryq me pec (okllahi) mbi petët duke i shtrënguar që të mos lëvizin.

I hapim petët njëherësh me pec (okllahi) sa diametri i tepsisë që kemi. I shtrojmë në tepsi. Hedhim shtresën e parë të arrave. Kështu vazhdojmë edhe me pjesët e tjera të brumit. Mbasi kemi hedhur dhe shtresën e fundit të petëve, e presim bakllavanë me kujdes në formë rombi dhe sipër hidhet gjalpi i shkrirë i nxehtë. Fusim bakllavanë të piqet ne furrë të nxehtë.

Piqet për 2 orë në temperaturën 100°C dhe 30 minuta në 150°C, (koha e pjekjes varet edhe nga lloji i sobës). Duhet të shohim që bakllavaja sipër të ketë marrë një ngjyrë të bukur. Pasi është pjekur, nxjerrim bakllavanë dhe e lemë të ftohet. Sherbeti për bakllava turke hidhet 24 orë pas pjekjes.

Përgatitja e sherbetit të Bakllavasë

Pasi vlon uji, hidhet 1.8 kg sheqer, vanilje, karafil sipas dëshirës. Pasi vlon për 5 minuta, e heqim nga zjarri dhe e lemë të ftohet pak dhe e hedhim sipër bakllavasë. Lemë bakllavanë të ftohet komplet dhe e shërbejmë në copa.

Të fundit