Reçica kishte propozuar rezolutë për gjenocid më 27.03. 2015


E hënë, 3 Gusht 2015

Katër muaj më parë deputeti i PDK-së Elmi Reçica kishte propozuar rezolutë për gjenocidin që kishte ushtruar pushteti serb mbi shqiptarët e Kosovës.

Opozita do të propozojë rezolutë për gjenocidin serb në Kosovë. Se a do të kaloi pritet të shihet në seancën e sotme,pasi një e tillë ishte propozuar qysh në mars të këtij viti.

Katër muaj më parë deputeti i PDK-së Elmi Reçica kishte propozuar rezolutë për gjenocidin që kishte ushtruar pushteti serb mbi shqiptarët e Kosovës, rezolutë kjo e ngjashme me këtë qe planifikon sot ta propozoj opozita në ditë kur në rend dite është votimi për Gjykatën Speciale.

Reçica, në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, përkatësisht në interpelancë parlamentare të mbajtur më 27 mars 2015, kishte propozuar rezolutë për gjenocidin dhe krimet e luftës të kryera nga Serbia, ndaj popullatës së Kosovës, dëmet e luftës të shkaktuara ndaj popullit dhe pasurisë së Kosovës, si dhe për të zbardhur fatin e personave të zhdukur gjatë luftës, mirëpo kjo rezolutë nuk ishte mbështetur nga opozita.

Në vazhdim po ua sjellim fjalimin e mbajtur të deputetit Elmi Reçica për propozim rezolutën:

“Duke pasur parasysh që situata është shumë serioze, me këtë interpelancë parlamentare dhe duke qenë të përgjegjshëm dhe të ndërgjegjshëm për situatën e gjendjes aktuale, unë në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, duke u bazuar në nenin 65 të Kushtetutës të Republikës së Kosovës dhe në nenin 52, paragrafi 2 të Rregullores së Kuvendit, me propozim të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, kërkoj që të miratohet kjo rezolutë.

1. Kuvendi i Republikës së Kosovës, rikujton dhe përsërit përkushtimin e plotë të Republikës së Kosovës për bashkëpunim dhe integrim në strukturat dhe mekanizmat euro-atlantike si dhe 12 shpreh gatishmërinë për të vazhduar në mënyrë konstruktive dhe me mirëbesim procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë. Republika e Kosovës është dhe mbetet partner i besueshëm dhe i qëndrueshëm në kuadër të partneritetit euroatlantik dhe i përkushtohet pa kompromis zbatimit të standardeve ndërkombëtare dhe evropiane, të drejtave të njeriut dhe të së drejtës ndërkombëtare në përgjithësi.

2. Kuvendi i Republikës së Kosovës, shpreh shqetësimin se edhe me kalimin të më shumë se një dekade pas përfundimit të luftës çlirimtare të popullit të Kosovës, gjenocidi dhe krimet e luftës ndaj popullatës së Kosovës, nuk janë ndëshkuar. Dëmet e luftës të shkaktuara ndaj popullit dhe pasurisë së Kosovës, nuk janë kompensuar si dhe fati i shumë personave të zhdukur gjatë luftës, ende nuk është ndriçuar. Kuvendi i Republikës së Kosovës shpreh keqardhje që edhe institucionet dhe mekanizmat ndërkombëtar brenda dhe jashtë Republikës së Kosovës, nuk kanë kontribuar mjaftueshëm në adresimin e këtyre çështjeve që janë aq të ndjeshme dhe të rëndësishme për popullin e Kosovës.

3. Kuvendi i Republikës rikujton se kryerja e krimit të gjenocidit si dhe të krimeve kundër njerëzimit gjatë luftës janë shkeljet më të rënda të normave të detyrueshme të së drejtës ndërkombëtare. Në kuadër të kësaj, Kuvendi i Republikës së Kosovës i referohet instrumenteve ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, në veçanti Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut, Paktit ndërkombëtar për të drejtat civile dhe politike, dhe Konventës për parandalimin dhe ndëshkim të krimit të gjenocidit. Kuvendi i Republikës së Kosovës, po ashtu i referohet Konventës ndërkombëtare të Kombeve të Bashkuara për mbrojtjen e personave nga zhdukja me forcë e cila garanton të drejtën për të ditur për fatin e personave të zhdukur.

4. Kuvendi i Kosovës shpreh bindjen se të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës, kanë për detyrë që të marrin të gjitha veprimet e nevojshme për të dhënë drejtësi për krimet e kryera ndaj popullit të Kosovës, në pajtim me të gjitha të drejtat ndërkombëtare të njeriut dhe të drejtën ndërkombëtare në përgjithësi. Kuvendi i Republikës së Kosovës po ashtu shpreh bindjen se procesi i drejtësisë tranzicionale jo vetëm që do të kontribuojë në vënien e drejtësisë, por edhe do të nxisë përafrimin dhe pajtimin e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Republikën e Kosovës, në dobi të një shoqërie të qëndrueshme që respekton dhe jeton sipas vlerave dhe parimeve euroatlantike.

5. Duke i marrë parasysh që të gjitha qëndrimet dhe pikëpamjet të thëna më sipër, Kuvendi i Republikës së Kosovës, obligon Qeverinë e Republikës së Kosovës që t’i marrë të gjitha veprimet dhe të fillojë të gjitha procedurat e mundshme politike dhe juridike, qofshin ato vendore apo ndërkombëtare për të vënë drejtësi për gjenocidin dhe krimet e luftës të kryera nga Serbia, ndaj popullatës së Kosovës, dëmet e luftës të shkaktuara ndaj popullit dhe pasurisë së Kosovës, si dhe për të zbardhur fatin e personave të zhdukur gjatë luftës.”

Etiketa: ,
Të fundit