Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Reduktimet shtojnë koston

| 02:04 - 15.08.2014

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE), ka hapur Shqyrtimin e Jashtëzakonshëm për përcaktimin e të hyrave maksimale të lejuara për të licencuarit KEK (Korporata Energjetike e Kosovës) dhe KEDS (Kompania Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji Elektrike). Në këtë raport të ZRRE-së, janë dhënë edhe shpjegimet pse po kërkohet shtrenjtimi i tarifave nga ana e KEDS-it. “Sipas vlerësimeve të KEDS-it, kjo kërkesë është bërë për të mbuluar ndryshimin në mes të prodhimit dhe konsumit në Kosovë, i cili është afektuar në mënyrë të konsiderueshme për shkak të mungesës së një sasie të gjenerimit vendor që duhet të mbulohet nga energjia e importuar me çmime më të larta”, thuhet në njoftimin e ZRRE-së. Si rezultat i ngjarjes së 6 qershorit 2014, shpërthimit në Kosova A, ndikimi neto në të hyrat e lejuara të KEDS është 12.4 milionë euro që përbënë 5.18% të hyrave të lejuara të KEDS prej 239.96 milionë euro.

ZRRE-ja vlerëson se është kaluar pragu i materialitetit dhe rekomandon përshtatje të të hyrave të lejuara për Furnizuesin Publik në vlerë prej 5.18%, më shumë se të hyrat e lejuara me parë më 24 qershor 2014 për Furnizuesin Publik. Vetëm pas të gjitha vlerësimeve për dëmet e kësaj ngjarjeje, ZRRE-ja ka pranuar ta hap shqyrtimin e jashtëzakonshëm tarifor. Në këtë vlerësim të ZRRE‐së, sikurse në të gjitha vendimet e tjera për tarifat e rregulluara me pakicë, ZRRE-ja gjithmonë është munduar të kontrollojë dhe t’i mbajë të ulëta kostot e sistemit energjetik në Kosovë, në mënyrë që tarifat të jenë të përballueshme për konsumatorët e rregulluar. ZRRE-ja vlerëson se reduktimet e energjisë elektrike kanë një kosto shumë më të lartë në krahasim me rekomandimet në këtë dokument. Raporti Konsultativ, sipas ZRRE-së, ka për qëllim të informojë dhe përfshijë palët e interesit që të japin kontributin dhe komentet e tyre në këtë shqyrtim të jashtëzakonshëm, që ka ardhur si pasojë e dëmeve të shkaktuara nga shpërthimi i ndodhur më 6 qershor në TC ‘Kosova A’ të KEK-ut, si dhe ndërprerjes së paplanifikuar të prodhimit të energjisë elektrike.


Arivisti Company