Referët e pranojnë gabimin, goli i Haalandit nuk ishte i rregullt


E hënë, 14 Shtator 2026
Referët e pranojnë gabimin, goli i Haalandit nuk ishte i rregullt

Goli kontrovers i fitores së Manchester Cityt në derbin e Mançesterit është cilësuar zyrtarisht si gabim nga organi i gjyqtarëve të futbollit profesionist.

Vendimi për ta lejuar golin e Erling Haalandit ka shkaktuar një debat të madh rreth zbatimit të rregullit të pozicionit jashtë loje dhe rolit të VAR-it në ndeshjet me rëndësi të madhe.

Në një zhvillim befasues pas ndeshjes, organi i gjyqtarëve të futbollit profesionist ka pranuar zyrtarisht se goli i fitores së Haalandit për Manchester Cityn ndaj Manchester Unitedit nuk duhej të ishte lejuar.

Goli i shënuar në minutën e 60-të në “Old Trafford” doli të ishte momenti vendimtar në një derbi të tensionuar, por zyrtarët tani pranojnë se procesi i VAR-it dështoi ta interpretonte siç duhet ndikimin e një lojtari në pozicion jashtë loje.

Ky pranim vjen pas një shqyrtimi të madh nga tifozët dhe ekspertët, të cilët vunë në pikëpyetje se si u lejua goli të qëndronte, pavarësisht ndërhyrjes së qartë të mesfushorit të Cityt, Enzo Fernandez.

Një zëdhënës i organit të gjyqtarëve të futbollit anglez tha pas ndeshjes të dielën se VAR-i “nuk e njohu ndikimin e mundshëm të pozicionit të tij dhe duhej të kishte rekomanduar një rishikim në fushë”, ndërsa do të zhvillohet edhe një hetim i mëtejshëm.

Organi i gjyqtarëve publikoi një deklaratë të plotë për ta sqaruar situatën, duke theksuar se Pro Ref e pranon një gabim gjykimi në lidhje me golin e akorduar.

Deklarata zyrtare thoshte: “Pas incidentit në minutën e 60-të të ndeshjes së Premierligës të së dielës mes Manchester Unitedit dhe Manchester Cityt në ‘Old Trafford’, mund të japim sqarime në lidhje me golin e akorduar të Haalandit. Vendimi në fushë ishte pozicion jashtë loje ndaj Haalandit – kjo u kontrollua nga VAR-i dhe u konstatua se ai ishte në pozicion të rregullt”.

Në deklaratë shpjegohej: “Në të njëjtin aksion, u konstatua se Enzo Fernandez nuk e luajti topin dhe për këtë arsye çdo shkelje e rregullit të pozicionit jashtë loje është subjektive, megjithatë, në këtë rast, VAR-i nuk e njohu ndikimin e mundshëm të pozicionit të tij dhe duhej të kishte rekomanduar një rishikim në fushë. Këtë mbrëmje është kontaktuar Manchester Unitedi për ta pranuar atë që ne e konsiderojmë si një gabim gjykimi. Do të bëhet një rishikim i incidentit”.

Trajneri i Manchester Unitedit, Michael Carrick, mbeti i habitur nga procesi i vendimmarrjes në “Old Trafford”, veçanërisht duke pasur parasysh sasinë e teknologjisë dhe stafit të përfshirë në gjykimin modern. Frustrimi i Carrickut ishte i dukshëm pas vërshëllimës së fundit, teksa ai vuri në pikëpyetje logjikën pas vendimit për të mos e ndëshkuar lëvizjen e Fernandezit.

Trajneri i Unitedit nuk u përmbajt kur u pyet për mundësinë e marrjes së një kërkimfaljeje nga Howard Webb dhe ekipi i gjyqtarëve. Duke diskutuar incidentin, Carrick tha në mënyrë sarkastike se mezi po priste një kërkimfalje nga shefi i gjyqtarëve. Ai e zgjeroi më tej frustrimin e tij duke thënë: “Shpjegimi që mora ishte se ai nuk po ndërhynte në lojë. Pra, thjesht nuk e kuptoj. Vërtet nuk e kuptoj”./Express


Burimi: 04online

Kërko ndihmë për trajtim shëndetësor jashtë vendit
Të fundit