E martë, 19 Janar 2016
Tiranë – Partia Demokratike ka dorëzuar pranë Komisionit parlamentar opinionet që do i bashkangjiten draftit të ekspertëve për në Venecia.
Ajo që në fillim të javës së kaluar u tha nga demokratët se do të ishte letër me vërejtje, ka përfunduar në 73 faqe, ku bien në sy 42 kritika që ekspertët demokratë rezervojnë për draftin final, por ajo që dominon gjithë dokumentin është shqetësimi për kapjen politike të drejtësisë. Sipas dokumentit të zbardhur të PD-së, opinioni do të ndihmojë në pasqyrimin e realitetit që mbizotëron aktualisht.
Vërejtjet
Që në krye të dokumentit analitik, demokratët theksojnë se drafti i ekspertëve të nivelit të lartë është i njëanshëm, ndërsa pika më shqetësuese që ekspertët e djathtë argumentojnë, lidhet me zgjedhjen me 3/5 e votave nga anëtarët e Kuvendit, me anë të cilës, sipas tyre, “çimentohet” kapja e sistemit nga politika. Për këtë pikë demokratët kanë shtuar plot 5 vërejtje në opinionin tyre prej 73 faqesh. Po ashtu në raport ekspertët e Partisë Demokratike kritikojnë parashikimet për ndërprerjen e mandatit të funksionarëve të lartë në sistemin e drejtësisë. Sipas PD-së, drafti parashikon ndërprerjen e mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm, ndërkohë që vetë “Venecia”, zëvendësimin e tij nuk e sheh të domosdoshëm. “Zëvendësimi i Prokurorit të Përgjithshëm nuk është domosdoshmërisht një çështje nevoje dhe mbajtja e Prokurorit të Përgjithshëm deri në skadimin e mandatit të tij do të ishte e pranueshme”, thuhet në opinionin e PD-së.
Ekspertët demokratë nuk bien dakord edhe mbi rolin e Presidentit në emërimin e gjyqtarëve. Sipas tyre është deformuar komenti i Komisionit të Venecias për këtë çështje, duke e zhveshur Presidentin nga çdo kompetencë. Partia Demokratike në draftin e ekspertëve kritikon dhe mosreflektimin e Komisionit të Venecias për ngritjen e gjykatës së lartë administrative, duke argumentuar se vetë ekspertiza europiane e 21 dhjetorit e ka kundërshtuar këtë institucion për shkak se Shqipëria nuk ka burimet e mjaftueshme njerëzore dhe financiare. Në dokumentin e tyre, demokratët i bëjnë me dije “Venecias” se formula e parashikuar në draftin e mazhorancës për zgjedhjen e kupolës drejtuese të sistemit të drejtësisë me 3/5-at e votave në Kuvend, çimentohet kapja politike e sistemit të drejtësisë.
Në opinionin e PD-së bëhet me dije se janë 42 vërejtje, në 73 faqe material, të cilat, sipas opozitës, përjashtojnë “de facto” mundësinë për konsensus. Gjithashtu, demokratët pretendojnë se, sipas formulës së emërimit të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese nga Kuvendi, rezulton se ata mund të zgjidhen vetëm me votat e 36 deputetëve. Por kjo, sipas tyre, nuk duket të jetë një zgjedhje demokratike, pasi krijon mundësinë që një gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese të emërohet vetëm me mbështetjen e afërsisht ¼ së deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë. Një anomali të tillë, theksojnë ekspertët e PD-së, e kanë pranuar edhe vetë hartuesit e amendamenteve në Dokumentin “Analizë e sistemit të Drejtësisë në Shqipëri”, të Grupit të Ekspertëve të Nivelit të Lartë.
Mirëpo, pavarësisht këtij konstatimi, në mënyrë të çuditshme, parashikimi i përzgjedhjes së gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese nga Kuvendi, sipas demokratëve, ka mbetur i pandryshuar me 36 vota. Po ashtu në draft-opinionin e saj, PD-ja shpreh shqetësimin e përfshirjes së rolit të kryeministrit në emërimin e organeve që mbikqyrin procesin e vlerësimit dhe rivlerësimit të gjyqtarëve, me qëllimin e vetëm për ta patur edhe këtë proces në kontroll. Partia Demokratike, në draftin e ekspertëve, kritikon dhe mosreflektimin e Komisionit të Venecias për ngritjen e Gjykatës së Lartë Administrative, duke argumentuar se vetë ekspertiza europiane e 21 dhjetorit e ka kundërshtuar këtë institucion, për shkak se Shqipëria nuk i ka burimet e mjaftueshme njerëzore dhe financiare.
Në raportin e hollësishëm, demokratët listojnë dhe shqetësimin se projekti final i heq Gjykatës Kushtetuese të drejtën për të shqyrtuar reformën në drejtësi. Një pikë tjetër e papranueshme për demokratët, është procesi i rivlerësimit tërësor të gjyqësorit dhe të Prokurorisë. Të gjitha kritikat të plotësuara dhe me argumenta të hollësishëm pse opozita refuzoi të jepte dakordësinë dhe të pranonte draftin e ekspertëve të Komisionit të Reformës, Partia Demokratike e dorëzoi pasditen e djeshme në parlament, të cilat do t’i nisen Komisionit të Venecias bashkë me draftin zyrtar dhe me propozimet e Lëvizjes Socialiste për Integrim.
PD: “Asnjë vërejtje e “Venecias” nuk u përfshi në draftin e PS-së”
Sipas demokratëve, drafti i ekspertëve të nivelit të lartë që mbështetet nga Partia Socialiste, lidhur me ndryshimet në Kushtetutë, nuk ka reflektuar asnjë rekomandim që ekspertët e Komisionit të Venecias bënë në raportin e tyre paraprak mbi reformën në drejtësi, si dhe ka përjashtuar çështjen e gjetjes së një konsensusi të gjerë politik që për demokratët do të garantonte jo vetëm besimin e opinionit publik tek sistemi i ri i drejtësisë, por do të shmangte çdo tentativë për kapjen e sistemit të drejtësisë nga mazhoranca aktuale. Në opinionin e PD-së thuhet se qeveria injoroi me arrogancë draftin e përbashkët, ndërsa nuk u zbatuan rekomandimet e “Venecias”. Në opinionin e tyre demokratët kërkojnë që të eliminohet në mënyrë të plotë dhe të thellë interesi politik në gjyqësor duke forcuar pavarësinë e tij.
Për këtë arsye ata i kërkojnë Komisionit të Venecias të jetë edhe më objektiv sesa opinioni i tij paraprak. PD kërkon që “Venecia” t’i sjellë në vëmendje autoriteteve shqiptare, zgjidhje të ofruara edhe në raste të shteteve të tjera, veçanërisht mbi standardet që ndalojnë kapjen politike të sistemit të drejtësisë, dhe rolit të opozitës parlamentare si mekanizëm balance e kontrolli. Këto zgjidhje për demokratët duhet të sigurojnë mos “çimentimin” e ndikimit politik të mazhorancës aktuale mbi sistemin gjyqësor në vend. “Projekt Amendamentet që po i paraqiten për mendim final janë produkt i një procesi të njëanëshëm, jokonsensual dhe pa marrë parasysh vërejtjet, shtesat dhe zgjidhjet racionale të opozitës parlamentare”- thekson PD-ja.
Basha: Kryefjala jonë, reforma. Rama nuk e do konsensusin
Me nisjen e sesionit të ri parlamentar, kreu i PD-së, Lulzim Basha, para grupit parlamentar të PD-së renditi në krye të prioriteteve të opozitës reformën në drejtësi, ndërkohë që as në mbledhjen që u zhvillua për disa minuta me dyer të mbyllura, nuk është folur për protesta, si pjesë të aksionit opozitar. Basha është ndalur para ligjvënësve demokrat vetëm te diskutimi i programit qeverisës që do të prezantohet i plotë në muajin shkurt, ndërsa ka kërkuar që të mos ndryshojë objektivi i PD-së për krijimin e qeverisë teknike dhe zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme. “Përsa u takon zgjedhjeve, PD-ja do të konkurrojë përballë dyshes Rama-Meta. Rama-Meta janë qeveria, ne jemi opozita. Ata janë oligarkia, ne jemi demokracia e vlerave europiane”, u shpreh Basha. Ndërsa duke folur për reformën në drejtësi, kreu i PD-së tha se sheh vetëm vullnetin e pandryshueshëm të kapjes së çdo pushteti, përfshirë drejtësinë.
“Edi Rama po sharton vullnetin amerikan me hilet e panumërta për kapjen e drejtësisë. Ne e dimë se Edi Rama e urren konsensusin, por do të investohemi deri në fund për konsensus, sipas parimeve të Venecias. Konsensusi zhbën pazaret e Vilës 30. Konsensusi që kërkon Venecia e shpëton drejtësinë. Drejtësia e pakapur do të ishte problem i madh për krerët e bandës se Ramës”, deklaroi Basha. Kreu i opozitës përsëriti disa herë nevojën për konsensus, por, megjithëse përshëndeti qëndrimin LSI-së për reformën në drejtësi, u kujdes të mbante distancën e duhur, për sa kohë LSI-ja është pjesë e qeverisë. “Rama dhe Meta kanë treguar se i bëjnë numrat në çast, sapo u bashkohen interesat. Ne nuk varemi nga humori i tyre. Ne kemi zgjedhur konsensusin rreth Venecias. Ne e përshëndesim qëndrimin e LSI-së dhe do të donim që PS-ja të vinte tek i njëjti qëndrim: të punojmë së bashku për reformat e mëdha”, theksoi Basha.
Vërejtjet e PD-së
Në draft-opinionin e saj, PD-ja shpreh shqetësimin e përfshirjes së rolit të kryeministrit në emërimin e organeve që mbikqyrin procesin e vlerësimit dhe rivlerësimit të gjyqtarëve, me qëllimin e vetëm për ta patur edhe këtë proces në kontroll. Partia Demokratike, në draftin e ekspertëve, kritikon dhe mosreflektimin e Komisionit të Venecias për ngritjen e Gjykatës së Lartë Administrative, duke argumentuar se vetë ekspertiza europiane e 21 dhjetorit e ka kundërshtuar këtë institucion, për shkak se Shqipëria nuk i ka burimet e mjaftueshme njerëzore dhe financiare.
Në raportin e hollësishëm, demokratët listojnë dhe shqetësimin se projekti final i heq Gjykatës Kushtetuese të drejtën për të shqyrtuar reformën në drejtësi. Një pikë tjetër e papranueshme për demokratët, është procesi i rivlerësimit tërësor të gjyqësorit dhe të Prokurorisë. Të gjitha kritikat të plotësuara dhe me argumenta të hollësishëm pse opozita refuzoi të jepte dakordësinë dhe të pranonte draftin e ekspertëve të Komisionit të Reformës, Partia Demokratike e dorëzoi pasditen e djeshme në parlament, të cilat do t’i nisen Komisionit të Venecias bashkë me draftin zyrtar dhe me propozimet e Lëvizjes Socialiste për Integrim./shekulli/
Etiketa: Partia Demokratike, Shqipëri