E hënë, 27 Qershor 2016
Suharekë – Nga referendumi i parë në Kosovë, i mbajtur në Dubravë të Suharekës, për ndërtimin e xhamisë në një parcelë tokësore, rezultati ka dalë për ndërtimin e asaj xhamie.
Nga 267 banorë që kanë votuar, vetëm njëri ka votuar kundër, kurse 266 të tjerë kanë votuar për ndërtim, transmeton TherandaPost.
“Banorët e fshatit Dubravë të Suharekës, sot kanë votuar pro ose kundër ndërtimit të xhamisë së fshatit në lokacionin ku ka kërkuar BI (Bashkësia Islame), e të cilën gjë e kanë kundërshtuar disa nga banorët. Referendumi, të cilin me vendimin e kryetarit të Komunës Sali Asllanaj e ka organizuar Komuna e Suharekës, ka filluar nga ora 7:00 e mëngjesit dhe ka zgjatur deri në orën 19:00 kur janë mbyllur kutit e votimin në Qendrën e votimit në ShFMU ‘Gjergj Kastrioti Skënderbeu’” , thuhet në njoftimin e Komunës së Suharekës, duke shtuar se sipas drejtuesve të qendrës së votimit, gjithçka ka shkuar në rregull.
Pas këtij rezultati xhamia e fshatit do të ndërtohet në parcelën 399-2 në Zonën Kadastrale të fshatit Dubravë.