E diel, 8 Shtator 2013
Paris, 8 shtator – Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, tha se numri i shteteve që janë gati të ndërmarrin veprime ushtarake ndaj qeverisë siriane po shtohet gjithnjë e më shumë.
Duke folur në Paris, ai tha se nuk mund të qëndrohet në heshtje pas përdorimit të armëve kimike në Siri, ku më 21 gusht forcat e al-Assadit akuzohen se kanë vrarë 1429 njerëz në një sulm me gaz.
Kerry është në Europë për një vizitë 4-ditore dhe pas takimit në kryeqytetin e Francës me kolegun e tij Laurent Fabius, deklaroi: “SHBA-ja dhe Franca e dinë shumë mirë se nuk mund të qëndrohet në heshtje përballë kësaj masakre.”
“Numri i shteteve që janë gati për veprime ushtarake ndaj diktatorit al-Assad ka shkuar në dy shifra. Janë më shumë sesa kemi nevojë për ndërhyrjen ushtarake që kemi në mendje”, shtoi Kerry.
Edhe presidenti Barack Obama tha se SHBA “nuk mund të mbyllin sytë” përpara përdorimit të armëve kimike në Siri. Ai foli pas kthimit në atdhe nga Rusia, ku mori pjesë në samitin e G20-s, i cili nuk solli një marrëveshje unanime për ndërhyrjen ushtarake.
Në fjalimin e përjavshëm në radio dhe internet, Obama tha se i kuptonte shqetësimet e amerikanëve pas një dekade luftë dhe shpjegoi se kjo kundër Sirisë nuk do t’i ngjajë Irakut apo Afganistanit.
“Por ne jemi Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nuk mund të mbyllim sytë përballë pamjeve si ato që kemi parë në Siri. Dështimi përballë këtij sulmi do të shtojë rrezikun që armët kimike të përdoren sërish, se do të bien në duart e terroristëve, të cilët mund t’i përdorin kundër nesh dhe do t’u japin një sinjal të frikshëm vendeve të tjera se nuk do të ketë pasoja për përdorimin e këtyre armëve”, deklaroi Obama.
Ai tha se çdo veprim do të ishte i kufizuar në kohë dhe qëllim, për të penguar qeverinë siriane të helmojë me gaz popullin, si dhe për të ulur aftësinë që ta arrijnë këtë. Presidentit amerikan i kanë mbetur shumë pak ditë për të bindur Kongresin, i cili do të nisë punën të hënën, pas përfundimit të sezonit të pushimeve.
Çështja e Sirisë do të diskutohet si në Senat ashtu edhe në Dhomën e Përfaqësuesve. Obama anuloi udhëtimin në Kaliforni, i caktuar për të hënën, për t’u përqendruar në shtimin e mbështetjes për të ndërmarrë “goditjen e kufizuar dhe të ngushtë”, siç e quajti shefi i Shtëpisë së Bardhe, kundër Sirisë.
Sipas një sondazhi të BBC dhe ABC News, një e treta e anëtarëve të Kongresit janë të pavendosur për të mbështetur një ndërhyrje ushtarake dhe shumica e atyre që kanë mbërritur në një vendim thonë se do të votojnë kundër presidentit.
Etiketa: Amerika, John Kerry, Siria