E diel, 15 Mars 2020
TIRANË – Në Shqipëri është rritur në 42 numri i rasteve me koronavirusin e ri (COVID-19), me konfirmimin edhe të katër rasteve të reja, sipas të dhënave të fundit nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, transmeton AA.
Sipas njoftimit zyrtar të ministrisë, deri tani janë testuar qindra raste, ndërsa në mesin e të infektuarve të fundit janë edhe dy mjekë.
Në njoftimin e këtij institucioni theksohet se në 24 orët e fundit nga ana e Institutit të Shëndetit Publik (ISHP) në bashkëpunim me epidemiologët e njësive vendore të kujdesit shëndetësor, ka vazhduar pa u ndalur puna në terren, për identifikimin e rasteve dhe për gjurmimin e kontakteve të rasteve të konfirmuara me COVID-19.
“Janë testuar 27 persona të dyshuar, qytetarë dhe personel shëndetësor, prej të cilëve janë konfirmuar katër raste të reja me COVID-19. Deri në këto momente janë testuar 532 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitiv me COVID-19, 42 raste”, thuhet në njoftim.
Nga rastet e konfirmuara pozitiv 26 janë në Tiranë, nga pesë në Durrës (njëra ka ndërruar jetë) dhe Fier, dhe nga dy raste në Lushnje, Elbasan dhe Rrogozhinë.
Kujtojmë se një 73-vjeçare humbi jetën më 11 mars në Shqipëri, e cila ishte e konfirmuar si paciente e prekur me koronavirusin e ri, duke shënuar viktimën e parë në vend nga COVID-19.
Etiketa: Coronavirus, Shqipëri