Rritja e ndikimit iranian, trashëgimia që la Obama në Lindje të Mesme


E martë, 29 Nëntor 2016

obama

New York – Presidenti amerikan Barack Obama është vënë në vazhdën e kritikave lidhur me politikat që ka zbatuar në Lindjen e Mesme të cilat sipas kritikëve kanë rezultuar me rritje të ndikimit iranian në rajon, raporton Anadolu Agency.

Pas tete viteve të kaluara në Shtëpinë e Bardhë, këto politika, veçanërisht marrëveshja bërthamore me Iranin të cilën Obama e llogaritë të jetë një trashëgimi e madhe e tij, janë vënë në qendër të sulmeve. Shpresat për demokraci në Lindje të Mesme si pjesë e “Pranverës Arabe” nga viti 2010 u shuan në masë të madhe nga lufta civile në Siri, kriza në Jemen dhe nga grusht shteti në Egjipt.

“Në fillim të administratës së tij, ai dështoi të përkrahë popullin e Iranit në revoltën kundër qeverisë së tyre represive”, deklaroi për Anadolu Agency, Peter J. Wallison, nga “Think Tanku” me seli në Washington, American Enterprise Institute.

“Ky gabim u ka paraprirë të gjitha gambimeve të cilat erdhën më vonë. Lirisht mund të themi se bota është në situatë shumë më të keqe pas tetë viteve të Obamas se që ishte para ardhjes së tij në zyrën presidenciale”, tha më tej ai.

Edhe presidenti i posazgjedhur amerikan Donald Trump u është bashkangjitur zërave kritik, pasi gjatë debatit parazgjedhor tha se Irani ka rritur ndikimin në Lindjen e Mesme gjatë qëndrimit të Obamas në Zyrën Ovale.

“Irani ka marrë Irakun, diçka që kanë dëshiruar ta bëjnë gjithmonë por tani ne ua kemi lehtësuar këtë. Irani do të duhet të na shkruaj letër falënderuese”, tha Wallison.

Zalmay Khalilzad, një ish-ambasador amerikan në Afganistan, në një artikull të shkruar në mars të vitit 2015 për revistën “National Interest”, tha se “Irani ka lëvizur shpejt dhe me vendosmëri për të mbushur boshllëkun e sigurisë në Irak”, duke shtuar se tani ka një prani të shtuar të Iranit në Irak dhe se është në rritje dominimi i Teheranit mbi qeverinë e Bagdadit.

“Në një artikull tjetër të publikuar muaj më vonë, ai tha se “Irani përmes avantazhit në Siri, Liban, Irak dhe Jemen është në rrugë të mirë të realizojë dominimin rajonal.

“Administrata e Obamas shpreson që përmes marrëveshjes bërthamore do të moderojë politikat rajonale të Iranit”, tha ai.

Shqetësimet për aftësinë e Iranit të rrisë ndikimin e vet mbështeten në qasjen e Teheranit në fondet dhe investimet të cilat kanë qenë të ndaluara në kohën kur vendi i ishte nënshtruar sanksioneve. Pas marrëveshjes bërthamore dhe heqjes së sanksioneve, sektorët e ekonomisë dhe energjisë në Iran filluan të flasin për progres.

Nga fakti Irani është vendi i dytë në botë për sa i përket rezervave të naftës dhe vendi i katërt për nga rezervat e gazit natyror, kurse heqja e sanksioneve i ka mundësuar atij të rrisë në masë të madhe prodhimin dhe eksportin e naftës së papërpuniuar.

Gjithashtu, është hapur mundësia për rezervat e paprekura të gazit për investitorët e huaj. Në kohën kur u arrit marrëveshja bërthamore në vitin 2015, Irani prodhonte 2.9 milionë fuçi naftë në ditë. Muajin e kaluar ky numër ka shkuar në 3.7 millionë, flasin shifrat nga raporti i OPEC-ut.

Teherani nga ana e tij thotë se dëshiron të rrisë prodhimin në nivelin e para sanksioneve që është mbi katër milionë fuçi në ditë. Përfshirë edhe industrinë e Iranit për Energji, rreth 250 miliardë dollarë investime të huaja pritet të vijnë në shtet bashkë me mbi 800 projekte energjetike të cilat pritet të përfundojnë në 20 vjeçarin e ardhshëm, flasin të dhënat e analizës për Iranin pas embargos së përpiluar nga Asambleja e Eksportuesve Turq (TIM).

Megjithatë disa sektorë të Iranit, siç janë bankat, legjislacioni, dhe administrata kanë ecur shumë ngadal në adaptimin në kushtet e periudhës pas sanksioneve, dhe paraqesin problerm për investitorët e jashtëm.

Irani është riintegruar në Shoqërinë Mbarëbotërore për Telekomunikim Interbankar dhe Financiar (SWIFT) dhe ka filluar të ketë qasje në pasuritë e ngrira jashtë vendit të cilat vlerësohen në rreth 150 miliardë dollarë.

Gjermania, Franca, Britania e Madhe, Rusia, Kina dhe Japonia kanë shfaqur interesin të investojnë në Iran, në mënyrë që të konkurrojnë në tregun e ri të vendit, por shqetësimi më i madh rreth investimeve të tyre është pasiguria që ka krijuar fitorja e Trump, sepse parashtrohet pyetja nëse ai do të anulojë marrëveshjen bërthamore pas marrjes së detyrës në fillim të vitit të ardhshëm.

Ndërsa ishte në fushatën parazgjedhore për president, kandidati republikan përshkroi marrëveshjen bërthamore si “një prej marrëveshjeve më të këqija të negociuara ndonjëherë” dhe e quajti atë një “katastrofë”.

Edhe republikanët tjerë kitikuan ashpër administratën e Obamas, duke pretenduar se marrëveshja ka rritur ndikimin politik dhe ekonomik të Iranit në Lindjen e Mesme, duke kërcënuar kështu sigurinë e Izraelit si dhe ka përkeqësuar marrëdhëniet e SHBA-ve me aleatin e saj, Arabinë Saudite.

Në fillim të muajit administrata e Obamas deklaroi se rezultati i marrëveshjes bërthamore ka bërë që të zhbllokojë pasuri të ngrirë iraniane në vlerë prej 50 miliardë dollarë, ndërsa Departamenti i Thesarit në shtator njoftoi për shitjen e 200 avionëve komercial për nevojat e aviokompanive të Iranit.

Politikat e Trump-it ndaj Iranit dhe Lindjes së Mesme do të vëzhgohen nga afër, ndërsa qëndrimi i tij në lidhje me marrëveshjen bërthamore do të bëhet shumë më i qartë pasi të marrë detyrën.

Të fundit