E premte, 21 Gusht 2015
Koha e keqe që ka përfshirë së fundmi Evropën nuk ka kursyer as Google-in. Kompania njoftoi se një nga qendrat e saj të të dhënave në Evropë, përkatësisht në Belgjikë, u godit nga rrufeja, duke shkaktuar disa probleme tek serverët.
Qendra e të dhënave të Google-it në Belgjikë pati një ndërprerje të vogël të energjisë tek sistemet e saj të memories, duke shkaktuar humbjen e 0.000001% të skedarëve të ruajtura. Incidenti shkaktoi humbjen e të dhënave të disa përdoruesve të platformës cloud të Google-it, të cilat ishin të ruajtura tek “disqet e përhershme” tek qendra “Europe-West1-b” e Google-it.
Në një deklaratë për shtyp, Google shpjegoi:
“Edhe pse sistemet automatike mundësuan rikthimin e menjëhershëm të energjisë, dhe sistemet e memories janë të projektuara me bateri shtesë, disa të dhëna ishin të ruajtura tek sistemet që dëmtohen më lehtësisht nga ndërprerja e energjisë ose shkarkimi i baterive.”
Kompania njoftoi se po punon për përmirësimin e harduerit të saj të memories, kështu nuk do të ketë më probleme nëse ka ndërprerje të energjisë. Të dhënat e humbura mund të jenë pak, megjithatë ky incident na rikujton që shërbimet në cloud nuk janë edhe aq imunë nga forca e natyrës.
Etiketa: Google