E diel, 9 Gusht 2015
Në një raport të publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, thuhet se shkalla e papunësisë në Kosovë është 35 për qind. Miëpo, përfaqësues të sindikatave dhe njohës të metodologjisë së hulumtimeve vlerësojnë se numri i të papunëve është shumë më i lartë.
Përfaqësuesit e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, (BSPK) i konsiderojnë shifra joreale, duke thënë se papunësia në nivel vendi është gati dy herë më e lartë se shifrat zyrtare.
Nënkryetari i BSPK-së, Alush Sejdiu në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, duke i konsideruar shifrat e ASK-së joreale, thotë se sipas hulumtimeve të kësaj sindikate, rezulton se papunësia arrin deri në 60 për qind.
“Statistika të qëndrueshme në Kosovë nuk kemi edhe për shkallën e papunësisë. Edhe nëse i referohemi statistikave të ASK-së, nëse është 35 për qind është mjaft shqetësuese sepse para një viti ka qenë 30 për qind. Do të thotë se ka rritje mbi 5 për qind”.
“Në anën tjetër sipas të gjitha hulumtimeve që ne ( BSPK) realizojmë në terren shkalla e papunësisënë Kosovë është mbi 50 për qind, mund të shkojë edhe në 60 për qind”, tha Sejdiu.
Sipas rezultateve të anketës të Fuqisë Punëtore për vitin 2014, publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, vitin e kaluar shkalla e papunësisë është rritur në 35,3 për qind, nga 30 për qind sa ishte në vitin 2013.
Gjatë kësaj periudhe, sipas rezultateve të anketës, është rritur papunësia edhe te të rinjtë (15- 24 vjeç) nga 55 për qind sa ka qenë në 61 për qind, gjithashtu ka pasur rritje edhe të papunësisë afatgjate.
Ekspertët e çështjeve ekonomike, ndërkaq vlerësojnë se metodologjia e përdorur nga agjencia për përllogaritjen e papunësisë nuk është e drejtë.
Agron Demi, drejtor ekzekutiv në Institutin për Studime të Avancuara GAP, shprehet se metodologjia e përdorur po klasifikon numër të madh të personave që nuk janë të interesuar të kërkojnë punë.
Ai përmend rezultatet e anketës së AKS-së ku thuhet se 78 për qind e femrave nuk punojnë dhe nuk kërkojnë punë, që sipas tij, është e palogjikshme.
“Tjetra janë rreth 60 mijë studentë, që automatikisht konsiderohen jo pjesëmarrës në tregun e punës edhe nëse janë duke kërkuar punë. Në të njëjtëkohë nëse ai është student dhe i punësuar, ai konsiderohet si i punësuar. Por, nëse është studentë dhe i papunësuar nuk konsiderohet i papunësuar”.
“Dhe kjo është një shkarje në metodologjinë e ASK-se dhe e cila do të duhej të ndryshohet, dhe nëse ndryshohet dhe merren këto kritere parasysh atëherë papunësia del të jetë më e gjatë se 35 për qind. Sipas të dhënave reale të sillet prej 55 deri 57 për qind”, ka thënë Demi
Ndryshe, nga rezultatet e përgjithshme të popullsisë, rezulton se papunësia në Kosovë është 44.9 për qind.
Etiketa: Agjencia e Statistikave të Kosovës, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Kosovë, Papunësia