E enjte, 10 Shtator 2026

“Je ankthioz si babai”, “flet shumë si nëna” apo “mërzitesh për çdo gjë si gjyshja”. Shumë njerëz i kanë dëgjuar këto krahasime në tryezat familjare. Dhe një nga studimet më të mëdha të kryera ndonjëherë mbi personalitetin, sugjeron se këto ngjashmëri nuk janë krejt rastësi.
Studimi, i publikuar së fundmi në revistën shkencore “Nature”, ka analizuar të dhënat gjenetike dhe tiparet e personalitetit të më shumë se një milion njerëzve. Përfundimi kryesor është se personaliteti ka vërtet një komponent gjenetik, por ai është kompleks, probabilistik dhe aspak përcaktues.
Kjo do të thotë se nuk ekziston një “gjen i karakterit” që vendos nëse një person do të jetë i shoqërueshëm, i qetë apo i prirur ndaj ankthit.
Në vend të kësaj, mijëra ndryshime të vogla në ADN mund të ndikojnë së bashku në mënyrën se si priremi të mendojmë, të ndiejmë dhe të sillemi.
Studiuesit u përqendruan te modeli i njohur si “Pesë të Mëdhenjtë”, një nga sistemet më të përdorura për matjen e personalitetit. Ai analizon pesë tipare kryesore: ekstraversionin (të qenit një tip i hapur), prirjen për bashkëpunim dhe altruizëm, ndërgjegjshmërinë, neuroticizmin dhe hapjen ndaj përvojave të reja.
Duke përdorur një metodë që krahason një numër të madh variantesh gjenetike me karakteristika të caktuara, studiuesit zbuluan se secili prej këtyre tipareve lidhet mesatarisht me më shumë se 16 mijë variante të pavarura të ADN-së.
Në total, u identifikuan 1.263 variante që shfaqnin lidhjen më të fortë statistikore me tiparet e personalitetit. Pjesa më e madhe lidhej me neuroticizmin, ndërsa variante të tjera shoqëroheshin me ekstraversionin, ndërgjegjshmërinë, hapjen ndaj përvojave dhe prirjen për bashkëpunim.
Megjithatë, ndikimi i këtyre gjeneve është relativisht i kufizuar. Variantet e identifikuara shpjegonin vetëm 5 -16 për qind të ndryshimeve në rezultatet e testeve të personalitetit.
Pra, nëse dikush zotëron më shumë variante gjenetike që lidhen me ekstraversionin, kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se ai person do të jetë ekstravert.
Studiuesit u përpoqën gjithashtu të ndanin ndikimin e gjeneve nga ai i mjedisit. Kjo ishte e rëndësishme, pasi anëtarët e së njëjtës familje nuk ndajnë vetëm ADN-në, por edhe edukimin, kushtet ekonomike, mjedisin shoqëror dhe përvojat e jetës.
Në një pjesë të studimit u krahasuan vëllezër e motra binjakë dizigotikë, të cilët kanë të njëjtët prindër dhe rriten zakonisht në të njëjtin mjedis, por nuk kanë ADN identike.
Rezultatet treguan se personat që kishin trashëguar një predispozitë më të madhe gjenetike për një tipar të caktuar priren ta shfaqnin më fort atë tipar.
Një analizë tjetër krahasoi prindërit me fëmijët e tyre. Studiuesit zbuluan se lidhjet gjenetike me personalitetin te fëmijët lidhen kryesisht me variantet që ata kishin trashëguar realisht nga prindërit.
Por kjo nuk do të thotë se karakteri ynë është i shkruar në ADN. Personaliteti formohet nga ndërveprimi i vazhdueshëm mes trashëgimisë biologjike dhe përvojave të jetës.
Gjenet mund të na japin disa prirje, por familja, shoqëria, edukimi dhe ngjarjet që përjetojmë, ndikojnë po aq në mënyrën se si bëhemi njerëzit që jemi. tesheshi.com
Burimi: tesheshi
