Sejdiu konfirmon kandidaturën


E martë, 30 Korrik 2019

PRISHTINË – Ish-presidenti i Kosovës dhe ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka thënë se interesim për të kandiduar për kryetar të LDK-së kishte edhe në vitin 2015, por u pengua atëherë.

Sejdiu, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini, ka thënë se ka shprehur gatishmërinë e tij për të kandiduar për të parin e LDK-së, siç thotë ai “për të dhënë kontributin tim më të mirë dhe më të plotë që gjendet në personin tim”.

Ai ka thënë se megjithatë kandidaturë formale nuk ka bërë ende.

“Ajo do të ndodh në Kuvend, dhe do të shoh të gjithë elementet e nevojshme që janë për mua… Dëshira ime është që ai kuvend të shkojë mbarë. Të jetë i suksesshëm dhe të nxjerrë konkludime të mira edhe në kuptimin e nxjerrjes së strukturave të mira”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Ish-presidenti i Kosovës ka thënë se kuota 50+1 për t’u nominuar për kandidat për kryetar të LDK-së në parim është antikushtetuese

“Mendoj që është një normë diskutabël që në esencë është antikushtetuese. Kjo normë përjashton konkurrencën e lirë për të zgjedhë dhe për t’u zgjedhur e sidomos për këtë të dytën”.

Ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka thënë se një situatë e tillë duhet të evitohet në këto zgjedhje të LDK-së.

“Nuk e di sa do të jetë numri final i konkurrentëve për kreun e LDK-së, por e di se një pjesëtim eventual që vjen në bazë të kësaj norme, kufizon të drejtën e të tjerëve në një garë të barabartë”, shtoi Sejdiu.

Sejdiu ka thënë se edhe në zgjedhjet e vitit 2015 ka qenë i interesuar për të kandiduar për kryetar të LDK-së, por në njëfarë forme nuk i është lejuar.

Etiketa: , , , ,
Të fundit