Sekuestrohen xhirollogaritë e Osmanit dhe ish zyrtarëve tjerë të AKP-së


E mërkurë, 23 Korrik 2014

Gazeta “Zëri” ka arritur ta sigurojë listën me emrat e politikanëve dhe biznesmenëve që u është sekuestruar pasuria nga Prokuroria e Shtetit në gjashtë muajt e fundit, pas dyshimeve se është përfituar në mënyrë të jashtëligjshme.

Shtëpi luksoze, fabrika, makineri pune, motele, xhirollogari bankare dhe shumë hektarë tokë, u janë sekuestruar me urdhër të Prokurorisë së Shtetit, shumë kosovarëve që i kanë përfituar në mënyrë të paligjshme.

Sipas të dhënave të Prokurorisë, vlera e pasurive të sekuestruara vetëm gjatë gjashtë muajve të fundit në Kosovë arrin shifrën rreth 30 milion euro.

Një dosje të Prokurorisë,të cilën e ka siguruar gazeta Zëri”, tregon se miliona euro pasuri të pa luajtshme të zyrtarëve të ndryshëm, por edhe biznesmenëve , gjyqtarëve, mjekëve , policëve, janë sekuestruar, pasi ata dyshohet se kanë kryer vepra të ndryshme penale për mes të cilave kanë arritur deri te ajo pasuri.

Naser Osmani, deputet i Kuvendit të Kosovës dhe ish-anëtar i Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), është njëri nga politikanët kosovarë që i është sekuestruar xhirollogaria.

Sekuestrimi i xhirollogarisë së Osmanit ka ardhur pas kërkesës së Prokurorisë së Shtetit, kur ai u arrestua në cilësinë e të dyshuarit për keqpërdorime në rastin e fabrikës “Fan” të Podujevës.

Osmani nuk është i vetmi që i është bërë sekuestrimi i xhirollogarisë bankare. Janë edhe ish-anëtarët tjerë të AKP-së: Bahri Shabani, Adrian Kelmendi, Melita Ymeraha, Naim Avdiu, Shkelzen Lluka e Nehat Islami.

Së shpejti sipas burimeve të gazetës “Zëri”, pritet të merret vendimi për konfiskim të klinikës “Medicus”.

Etiketa: ,
Të fundit