Selanik, fëmijët shqiptarë marrin në duar Abetaren


E diel, 10 Nëntor 2013

Selanik, 10 nëntor – Një ditë shumë e bukur sot në Selanik. Fëmijët e shkollës shqipe morën në duart e tyre librat e Abetareve dhe Gjuhës Shqipe, dhuruar për ta nga qytetarë shqiptarë dhe subjekte të ndryshme private.

Fushata që u zhvillua javën e kaluar në Facebook për grumbullimin e Abetares dhe librit të Gjuhës Shqipe për fëmijët shqiptarë të shkollave shqipe në Selanik dhe Janica, u finalizua me sukses. 300 libra mbërritën në shkollën e Selanikut dhe mësueset ua shpërndanë ato vogëlushëve dhe nxënësve më të rritur, raporton Balkanweb.

Nxënësit e emocionuar dhe të gëzuar falënderuan në mënyrën e tyre origjinale bashkëmoshatarët e tyre dhe gjithë ata qytetarë që iu përgjigjën thirrjes “Dhuroni një Abetare që fëmijët tanë në vend të huaj të mos e harrojnë gjuhën e nënës!”.

Në këtë fushatë ndihmuan qytetarë nga Shqipëria, por edhe shqiptarë nga SHBA-ja e Kanada-ja. Një ndihmë të veçantë dhanë dy shtëpitë botuese “MediaPrint” dhe “Albas”, të cilat ofruan tekstet shkollore, abetaret dhe librat e Gjuhës Shqipe me çmime të ulëta për qytetarët që dëshironin të ndihmonin, por edhe bazë materiale falas.

Gatishmëria dhe bujaria e bashkatdhetarëve tanë bëri të mundur që në Selanik dhe Janica fëmijët shqiptarë të vijojë pa probleme edhe një tjetër vit mësimor për përvetësimin sa më të mirë të gjuhës shqipe, në mënyrë që edhe pse të lindur dhe rritur në Greqi, ata ta njohin mirë gjuhën e nënës, historinë dhe kulturën e vendit të tyre.

Etiketa: ,
Të fundit