E diel, 29 Qershor 2014
Serbët e veriut dhe përfaqësuesit e tyre, në koordinim me autoritetet e Beogradit, kanë hequr një barrikadë dhe kanë rivendosur një tjetër të ashtuquajtur “Park i paqes” mbi urën qendrore mbi lumin Ibër dhe vetë serbët duhet dhe do ta heqin atë barrikadë, vlerësojnë përfaqësuesit politikë të serbëve të veriut dhe njohësit serbë të zhvillimeve politike në Kosovë.
Drejtuesit lartë të institucioneve të Kosovës, rivendosjen e barrikadës së ashtuquajtur “Parku i paqes”, e patën quajtur veprim të turpshëm dhe patën theksuar se do të kërkojnë nga Brukseli që ajo të hiqet ose në të kundërtën, do të ndërmarrin vetë veprime për heqjen e saj.
Aleksandar Jabllanoviq, kryetar i Listës Serbe, duke folur për Radion Evropa e Lirë, rikonfirmon edhe një herë se “Parku i paqes” është vënë mbi urën qendrore mbi lumin Ibër që ndan anën jugore dhe veriore të qytetit të Mitrovicës, në koordinim me autoritetet e Beogradit. Shkak i rivendosjes së barrikadës sipas tij, është mosbesimi i serbëve të veriut ndaj Prishtinës zyrtare.
“Gjithsesi që veprimet, të cilat i bën pala serbe në Kosovë, janë të koordinuara me Beogradin. Ky është një akt, i cili ka rrjedhur nga një gjendje e frikës dhe mosbesimit që vjen ndaj Prishtinës. Në atë moment që ajo frikë dhe mosbesim të zhduken, po ashtu do të zhduket edhe nevoja për ekzistencën e një ‘parku’ të tillë apo çfarëdo barrikade tjetër në veri të Kosovës”,thotë Jabllanoviq.
Rangjel Nojkiq, njohës i zhvillimeve politike në Kosovë, vlerëson se të gjitha tensionet e krijuara me heqjen dhe rivendosjen e barrikadës mbi urën qendrore mbi lumin ibër, do të shmangeshin në rast se do të ekzistonte një komunikimi më korrekt ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.
Nojkiq, gjithashtu, është i bindur se “Parku i paqes” nuk është vendosur pa miratimin e Beogradit zyrtar.
“Nëse kjo është bërë me miratimin e Beogradit, atëherë unë mendoj se kjo nuk është në drejtim të zgjidhjes së problemit. Por, edhe në qoftë se serbët e veriut e kanë bërë këtë pa miratimin e Beogradit, atëherë e kanë vënë Beogradin në pozitë shumë të pakëndshme, për të cilët tash duhet të gjejë zgjidhje dhe të mos përplaset me përfaqësuesit e serbëve të Kosovës. Por, Beogradi tash praktikisht nuk mund të gjejë zgjidhje”, thekson Nojkiq për Radion Evropa e Lirë.
Ndryshe, Jabllanoviq shpreh mendimin se barrikada mbi urën qendrore mbi lumin Ibër dhe gjithë të tjerat duhet të hiqen nga vetë serbët që i kanë vendosur ato. Por, sipas tij, më parë duhet të krijohen kushte për një gjë të tillë.
“Në atë moment kur populli serb në pjesën veriore të Mitrovicës do ta ketë ndjenjën se është i lirë dhe se nuk rrezikohet nga askush, ne vetë do ta heqim çdo barrikadë, përfshirë edhe ‘Parkun e paqes’. Por, çdo heqje e barrikadës apo ‘Parkut të paqes’ në mënyrë të dhunshme, paraqet shkelje të rëndë të vullnetit dhe të drejtës së popullit serb”, deklaron Jabllanoviq.
Por, Nojkiq, nuk e sheh krejt të thjeshtë këtë situatë. Sipas tij, problemin e barrikadave në veri të Kosovës duhet ta zgjidhin vetë ata që e kanë krijuar dhe nuk duhet pritur që Prishtina zyrtare të ndërhyjë për heqjen e barrikadave, për shkak se, siç thotë ai, kjo do të krijonte probleme shtesë.
Nojkiq thotë se, nisur nga kjo, Beogradi duhet të ndërmarrë hapa konkret, në mënyrë që të mos krijohen përplasje dhe konflikte të reja. Por, sipas tij, Beogradi ka probleme edhe me përfaqësuesit e serbëve në veri, për shkak se uniteti i tyre, për të cilin kohët e fundit Beogradi ka folur mjaft, është tejet i brishtë.
“Mendoj se Beogradi dëshiron ta zgjidhë atë problem dhe kjo nuk mohohet. Por, problemi është se Beogradi nuk po di si t’i tejkalojë ndryshimet ndërmjet opsioneve të ndryshme të serbëve në veri. Në veri ka serbë që kanë qenë për zgjedhje dhe që kanë thënë se ato janë zgjidhje. Por, ka edhe të tillë që kanë qenë absolutisht kundër zgjedhjeve”.
“Më pas, kemi atje edhe njerëz që këto zgjedhje i kanë keqpërdorur. Kështu që, atje ka opinione të ndryshme politike dhe problem për Beogradin paraqet fakti që të mos krijojë ndonjë problem të ri ndërmjet serbëve në veri të Kosovës, pavarësisht se po thirret në unitet”, vlerëson Nojkiq.
Ai shton se praktika po tregon se Prishtina dhe Beogradi domosdo duhet të krijojnë komunikim, në mënyrë që të shmangen situatat që prodhojnë konflikt, sikurse ajo që së fundmi ka prodhuar rivendosja e barrikadës mbi urën qendrore mbi lumin Ibër.
Sipas tij, ky hap, ka qenë jo korrekt nga ana e Beogradit në raport me marrëveshjen e Brukselit.
(REL)