Serbi-Shqipëri, ja opsionet e KAS Lozanë për vendimin


E martë, 7 Prill 2015

Nuk ka riluajtje të takimit Serbi-Shqipëri. Opsionet për vendimin e 17 prillit janë vetëm dy. Ose Shqipëria merr tri pikët në tavolinë nga KAS Lozanë, ose përfundimisht i humbet ato tri pikë, dhe vendimi është i njëjtë me UEFA-në dhe Komisionin e Disiplinës e Apelit. Pak a shumë kjo është ajo që mund të ndodhë në Lozanë më 17 prill.

Jo sepse nuk duam ne, por sepse teknikisht është e pamundur. Shqipëria është ankuar për vendimin e UEFA-së dhe KAS Lozanë, dhe kjo e fundit, duhet të konfirmojë apo jo vendimin e Federatës Europiane të Futbollit. “Nuk ka asnjë shans që të riluhet ndeshja. Unë mendoj se Shqipërisë i takojnë 3 pikët, ngjarja në Beograd ishte më e rëndë se ndeshja Mali i Zi-Rusi. Dua të harroj skena të tilla dhe për mua nuk mund të riluhet ajo sfidë”, është shprehur Armand Duka.

Gjithësesi, shumë janë skeptikë se çfarë do të ndodhë në seancën dëgjimore të 17 prillit. Shqipëria nga ana e saj do të rreshtojë edhe një herë faktet që ka paraqitur, ato që nuk i janë pranuar dhe që i janë pranuar në Disiplinë dhe Apel, para gjykatës së KAS Lozanë. Madje, avokatët do të shfrytëzojnë çdo fakt që kanë nëpër duar, për t’i parashtruar në Lozanë. Kjo e fundit ka ndryshuar një vendim për Marokun dhe të gjithë juristët janë optimistë për vendimin. Është përgatitur një dosje, e cila ka një mbrojtje që i kalon qindra faqet. Nga ana teknike thjesht është një seancë, ku panelit dëgjimor duhet t’i mbushet mendja për të kthyer vendimin me anë të fakteve dhe nuk ka rëndësi se çfarë është bërë më parë.

Shanset që vendimi të kthehet janë të mëdha më 17 prill, por kujdes. Sepse mund të ndodhë edhe ndryshe, siç ka ndodhur deri më sot. Dy federatat do të kenë “luftën” e fundit të tyre për ngjarjet e Beogradit pikërisht më 16-17 prill. Federata Shqiptare e Futbollit i ka ankimuar vendimet, e të dyja komisioneve, si të Disiplinës ashtu edhe të Apelit. Shqipëria kërkon tri pikët në tavolinë, për shkak të dhunës së ushtruar ndaj futbollistëve shqiptarë nga huliganë që invaduan fushën. Për shkak të hedhjes së sendeve dhe flakadanëve në fushë dhe për koret me fyerje raciste, që kanë vazhduar gjatë gjithë ndeshjes.

Etiketa: , ,
Të fundit