Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Serbia angazhoi vajza të bukura për të lobuar kundër Kosovës në INTERPOL

Prizren Post | 19:19 - 19.12.2018

PRISHTINË – Për më shumë se katër orë, ministri i Punëve të Jashtme Behgjet Pacolli, u është përgjigjur pyetjeve të deputetëve të Komisionit për Punë të Jashtme. Në këtë raportim, kreu i diplomacisë kosovare është përgjigjur për dështimin e anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL dhe lajmet se disa shtete kanë tërhequr njohjet e tyre.

Pacolli ka folur edhe për mos anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL, ku ka thënë se Kosova ka bërë një punë të madhe, por sipas tij lobimi që ka bërë Serbia ka ndikuar te disa shtete.

Ai ka marrë edhe një shembull se si shteti serb ka ndikuar te shtetet për mos anëtarësimin e Kosovës në këtë institucion të sigurisë.

“Për mua është bërë punë e madhe po e kam pasur qatë ndjenjë që ma the ti se diçka mundet me çaluar këtu. Për arsye se është një fakt, ne jemi një shtet i vogël, një shtet i sapolindur dhe të pretendosh t’i kesh 2 të 3 e votave, dy herë më shumë se Serbia votat t’i kesh në tavolinë po më duket që duhet të jemi realist edhe aty. Ne kemi marrë 76 vota, Serbia merr 56 vota dhe këtu Serbia po ashtu ka lobuar me krejt potencialin e vet, me krejt miqtë e vet kundër nesh dhe e kemi pa vet çfarë lobimi kanë bërë ata brenda aty në sallë. Ata i kanë pasur nja 10 vajza goxha të bukura të veshura dhe secila i shkon zezakut dhe më fal i thotë: si je a je mirë, e shtrëngon dhe ia lë zarfin aty përpara”, tha ai, raporton KP.

Për mos anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL, Pacolli ka thënë se ndjehet fajtor, por megjithatë ka potencuar sërish se dikasteri që ai udhëheq ka bërë gjithë atë që është dashur të bëhet.

“Nuk kemi arritur që ta perfeksionojmë punën dhe t’i sigurojmë edhe ato 8 çalime, të cilat i kemi pasur në momentin e fundit prej disa shteteve që nuk po dua me ia përmend emrin dhe arsyet pse ato ndoshta në një moment tjetër. Nuk e ndjej vetën të pafajshëm, por ju garantoj se çdo gjë që është dashur të bëhet është bërë. Nuk kemi kursyer as mundin, as nuk na ka shkuar për dije, as nuk na ka shkuar për ndonjë gjendje arrogance që mos me u ul dhe me bisedua me ta. Kemi provuar çdo gjë. Por, edhe një duhet t’ju them. Ne kemi pasur lidhje të ngushta edhe me kreun e INTERPOL-it, ka qenë shumë vështirë që të hysh në agjendën e tyre se konstelacioni i shteteve të komitetit ekzekutiv ka qenë asisoj që kemi pasur më tepër jo-njohëse shtete sesa njohëse, por ne kemi arritur brenda, kemi arritur të hyjmë dhe të na votojnë. Edhe në pjesën e dytë kemi arritur të mbetemi në agjendë dhe tash kur vjen momenti neve na çalojnë disa shtete, por praktikisht mund të iu them se na kanë gënjyer”, tha ai.


Etiketa:
Arivisti Company