E diel, 24 Mars 2019
Serbët, duke e parë veten si një popull “hyjnor” e të ushqyer me mitin e një beteje të humbur e të përvetësuar të popujve të Ilirikut, ëndërruan fuqinë e një perandorie të re në kohën kur të vjetrat ishin shpërbërë dhe harruar. Si ta quajmë ndryshe këtë përpjekje me bazë në mite e legjenda të mesjetës së errët, veç çmenduri serbe! Sa herë që njerëzit jetojnë nën një kulm me të çmendur pasojat bien mbi ata që jetojnë së bashku apo aty afër. Kështu ndodhi me tre popujt e Ilirikut Perëndimor, kroatët, boshnjakët dhe shqiptarët në fundin e shekullit XX, duke mos përjashtuar as vetë serbët nga kjo çmenduri.
Mësuesja e jetës na mëson se kontinentin e vjetër – Europën – në shekullin XX e kanë përfshirë tri valë të mëdha çmendurish. Dy çmenduritë e para europiane, që kishin për qëllim dominim, i patën përjetuar popujt në shkallë botërore, kurse të tretën, çmendurinë serbe, e përjetuan vetëm tre popuj të Ilirikut, kroatët, boshnjakët dhe shqiptarët. Bazën e kësaj çmendurie e ka shpjeguar mirë amerikani me origjinë kroate, Branimir Anzuloviq, i cili në librin “Serbia hyjnore nga miti te gjenocidi” (Botimet Koha, Prishtinë, 2017), me të drejtë konstaton: “Mitet dhe legjendat e ngjizura pas Betejës së Kosovës u ripërtërinë nga inteligjencia serbe për të ndezur pasionet nacionaliste të bashkatdhetarëve të tyre gjatë viteve ’80 të shekullit XX”. Këto pasione për të cilat flet autori, Serbia i pat shfaqur ndaj shqiptarëve në Librin e kaltër (1976), të shprehura me tërë agresivitetin e saj. Pas demonstratave studentore të viteve 1981-1990, në të cilat vite mbi 3500 shqiptarë u burgosën e u dënuan me mbi 250 shekuj burg dhe mbi 700.000 kaluan nëpër duart e Sigurimit të Shtetit. Pastaj u vranë dhe u kthyen në arkivole qindra të rinj që ishin në shërbimin ushtarak të Jugosllavisë, i helmuan mijëra nxënës dhe u larguan nga puna mijëra shqiptarë. Serbia nuk u mjaftua me këto, por i mbylli çerdhet, shkollat dhe Universitetin e Prishtinës, u mbyllën të gjitha mjetet e informimit dhe u bë suprimimi i autonomisë së Kosovës. Jo vetëm këto që u thanë, por edhe shumëçka tjetër qe nënvizuar në Memorandumin e ASHAS, i cili qe faza e parë e Projektit për gjenocidin e planifikuar serb mbi shqiptarët. Në atë gjendje të pashpresë shqiptarët e kishin vetëm një rrugë për të mbijetuar në atdheun e tyre të ligjshëm – PËR TË LUFTUAR DERI NË LIRI! Tjetër rrugë ata nuk kanë guxuar të zgjedhin.
Sigurisht që nuk është e lehtë ta duash luftën, por ishte rrugë e vetme dhe e pashmangshme që duhej ndjekur. Shqiptarët i dinin pasojat e luftës, sepse ato po u ndodhnin tashmë fqinjëve, por vetëm ajo ishte rruga e fundit që duhej ndjekur, rruga e luftës për liri, rruga e mbijetesës. Rrugë që kalonte nëpër rrëke gjaku dhe me flijimet e më të dashurve. Për shqiptarët jo vetë që ishte i ditur krimi e gjenocidi serb në Bosnjë e Hercegovinë, por ishte i ditur edhe se serbët mllefin më të madh ndaj të gjithë popujve të Jugosllavisë e kishin ndaj shqiptarëve dhe kjo dihej që nga koha e Garashaninit (1844). E kanë thënë njerëzit e mençur vite e vite më parë, se liria e lavdia e kanë çmimin e lartë, por pa to populli me integritet e dinjitet nuk mund të jetojë. Nga atëherë e deri më sot, intelektualë e politikanë serbë janë ushqyer e brumosur me mitin dhe legjendat serbe se gjoja ata janë komb “hyjnor” nga është prodhuar miti i krimit dhe i gjenocidit serb. Miti i krimit dhe i gjenocidit fillimisht i përhapur nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Serbisë, pastaj hierarkia fetare, politika shtetërore serbe dhe natyrisht mediat, por promotori kryesor ishte shteti serb. Kë e nënvizon prokurori i Tribunalit të Hagës, kanadezi (izraeliti) Eliot Behar në librin “Tregoji botës”: “Një shtet ka kryer vrasje në masë, dhunime, dëbime, gjenocid. Bashkësia ndërkombëtare ka dështuar të ndërhyrë me kohë.” (Botimet Koha, 2018, f. 99). Këtë po e thotë një prokuror që nga viti 2008 deri në vitin 2014 ka punuar në Tribunalin e Hagës dhe ai krimin e gjenocidin e shtetit serb e ka parë në dokumente, dëshmitë e vetë serbëve, në fjalët, shpirtin e sytë e dëshmitarëve, që i kanë përjetuar dhe i kanë parë me sytë e tyre krimet dhe gjenocidin serb. Atë krim e atë gjenocid pushtetarët serbë as dje e as sot nuk kanë pasur gatishmëri ta dënojnë e as ta pranojnë, madje as edhe formalisht ta bëjnë një kërkimfalje.
Është fakt, bota demokratike nga 24 marsi 1999 ka filluar ta dënojë politikën e gjenocidit serb me bombardime nga toka e ajri, të cilat bombardime në qershorin e atij viti ia kthyen Kosovën pronarit të ligjshëm të asaj toke – shqiptarëve, ndonëse jo në përmasën e merituar. Bashkimi i shqiptarëve ishte dhe është edhe sot zgjidhja imperative e kohës, pa të cilin bashkim paqja do të jetë gjithnjë e brishtë. Nuk ka asnjë dyshim të vetëm, bombarduesit e NATO-s e ndërprenë krimin dhe gjenocidin serb në Kosovë, edhe pse në fillimet e bombardimeve qe thelluar e zgjeruar krimi e gjenocidi serb mbi shqiptarët duarthatë, mbi gra, fëmijë e pleq, por fundi i tyre i ktheu shqiptarët në tokën e tyre legjitime, të cilën për 86 vjet pushtuesi serb e kishte mbajtur ilegalisht. Prandaj Serbia jo vetëm që i ka merituar bombardimet e NATO-s mbi gjithë infrastrukturën ushtarake, politike, mediatike etj., por e ka merituar dënimin për gjenocid nga GJND-ja. Serbia është dashur që t’i paguajë dëmet e luftës të shkaktuara në Kroaci, Bosnjë e Kosovë. Kjo amnisti që i është bërë Serbisë është trimërim i të gjithë mekanizmave të mitit gjenocidal serb që janë aktivë edhe sot në pushtet e kudo tjetër atje. Amnistia për gjenocid nuk është dashur të ndodhë edhe për faktin se Serbia ka bërë një varg shkeljes si: “shkeljet e renda të Konventës së Gjenevës të vitit 1949 (neni 2), shkeljen e ligjeve e të zakoneve të luftës (neni 3), gjenocidi (neni 4) dhe krimet kundër njerëzimit (neni 5). Këto ishin dhe janë krimet më të rënda që i njeh ligji.” (Po aty, f. 37).
Në përfundime të ngjashme si të prokurorit kanadez, vite më parë pati konfirmuar edhe zëdhënësja e Tribunalit nga Franca, Florence Hartmann, e cila ka shprehur dyshime për “rastin Millosheviq”, se si mund të kishte dilema, tek e kishte fjalën për gjyqtarin Nice, për rëndësinë që kishin lëndët për krimet serbe në Sarajevë e Sebrenicë dhe konstaton: “Të gjymtohet aktakuza kundër Millosheviqit në këtë formë është e paimagjinueshme. Kjo do të thoshte ‘të shtrembërohet kuptimi i përgjegjësisë, ta gjymtosh veprën”. (Florence Hartmann, “Paqja dhe ndëshkimi”, Botimet Koha, 2011, f. 105). Ndërsa për Kosovën ajo thotë: “Lënda për Kosovën (…) nuk paraqiste problem sa i përket rolit të Millosheviqit, në vrasjen e dhjetë mijë shqiptarëve dhe dëbimin e tetëqind mijë syresh, ngase kishte vepruar brenda shtetit, të cilin e kishte kryesuar”. (Po aty, f. 106). Sipas autores, kjo ishte konfirmuar edhe nga dëshmitari Millan Babiq, i cili kishte konfirmuar se të gjitha vrasjet, dhunimet e dëbimet ishin urdhëruar nga Beogradi. (Po aty).
Shkurt: Serbia jo vetëm që i ka merituar bombardimet e NATO-s, por e ka merituar edhe dënimin nga GJND-ja për GJENOCIDIN E DËSHMUAR. Këtë po e konfirmojnë njerëz kompetentë të Tribunalit të Hagës me fakte e dëshmi të njohura e publike dhe jo me dokumente konfidenciale. Pra, nga kjo që u tha, del se Serbia u amnistua nga dënimi për gjenocid nga politika por jo nga drejtësia DHE U GABUA.
*Opinionet e autorëve nuk paraqesin domosdoshmërisht edhe opinionin e Prizren Post.
Etiketa: Jakup Krasniqi