E enjte, 19 Janar 2023
BERLIN – I dërguari special i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, tha se qëndrimi i Berlinit është se Serbia nuk mund të bëhet anëtare e Bashkimit Europian pa e njohur Kosovën.
Sarrazin për edicionin e sotëm të gazetës serbe “Nova” ka thënë se hyrja e Serbisë në familjen e vendeve europiane “nuk është e mundur as pa media të lira dhe demokraci”.
“Ne nga Gjermania gjithmonë kemi pasur një qëndrim shumë të qartë për këtë çështje – deri në fund të procesit të normalizimit të marrëdhënieve, kur Serbia të vendosë për anëtarësim në BE, njohja e Kosovës do të jetë pjesë e procesit”, tha Sarrazin.
Ai vuri në dukje se kjo është diçka “që Gjermania me siguri e pret” dhe se kjo “u tha qartë kur kancelari Olaf Scholz vizitoi Serbinë në qershor të vitit të kaluar”.
Ai theksoi se “BE-ja është shefi i negociatave ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe se është e nevojshme të arrihet një marrëveshje në mes të dy palëve sa më shpejt të jetë e mundur, si dhe se është e rëndësishme që përfaqësuesit e serbëve të kthehen në institucionet e Kosovës sa më shpejt të jetë e mundur”.
Sarrazin është i dërguari i parë gjerman për Ballkanin Perëndimor, sepse ky pozicion nuk ekzistonte në qeveritë e mëparshme gjermane.
Ndërkaq, të premten, më 20 janar, përfaqësuesi special i Bashkimit Europian (BE) për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Mirolsav Lajçak, do të udhëheqë grupin europiano-amerikan të diplomatëve në Prishtinë dhe Beograd, ka konfirmuar dje zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.
Delegacioni do të përfshijë të dërguarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, këshilltarë të kancelares gjermane dhe presidentit francez dhe një këshilltar të kryeministrit italian.
Qëllimi i vizitës, sipas burimeve europiane, siç shkruan REL, është përgatitja për mbajtjen e raundit të ardhshëm të dialogut në nivelin më të lartë politik në Bruksel.
Për momentin, nuk ka asnjë konfirmim se kur një raund i ri i bisedimeve të liderëve mund të zhvillohet përsëri.
Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti u takuan për herë të fundit në Bruksel më 21 nëntor. Takimi u cilësua i pasuksesshëm dhe përgjegjësia për të nga shefi i diplomacisë europiane, Josep Borrell, ia kaloi kreut të qeverisë së Kosovës. /Klankosova.tv
Etiketa: Aktuale, Bashkimi Europian, Gjermania, Kosova, Manuel Sarrazin, Serbia