Serbia ta njoh sa më parë Kosovën, thotë Busek


E enjte, 12 Mars 2015

Ish drejtuesi i Paktit të Stabilitetit, Erhard Busek, ka deklaruar se Serbia duhet të njeh Kosovën sa më parë që është e mundur.

Duke folur në Info Magazine të Klan Kosovës, Busek deklaroi se e vetmja rrugë për të ecur në drejtim të BE-së është pajtimi i realitetit të ri të krijuar në Ballkan, ndonëse austriaku bëri me dije se pajtimi i plotë kosovaro -serb mund të merr kohë.

Busek tha se edhe BE-ja e ka kuptuar këtë çështje, andaj ai bëri me dije se edhe pesë vendet e bllokut 28 anëtarësh do të duhet të lëvizin, derisa hodhi poshtë shembullin e krahasimit të Kosovës me Kataloninë kur ka komentuar arsyet zyrtare të Spanjës.

Busek, i cili njeh mirë zhvillimet në rajon ka bërë thirrje për më shumë bashkëpunim ndërshtetërorë, me qëllim të forcimit të rrugës së BE-së.

Ai e ka quajtur të padrejtë izolimin e kosovarëve kur ka komentuar liberalizimin e vizave. Ish drejtuesi i Paktit të Stabilitetit në këtë intervistë ka thënë se izolimi është vetëm një faktor, ndërsa ka nxjerrë në sipërfaqe papunësinë dhe mungesën e zhvillimit ekonomik të Kosovës si arsye e migrimit ilegal masiv.

Ai ka bërë thirrje që të forcohet sundimi i ligjit, të tërhiqen investitorë të huaj dhe të investohet në arsimimin e të rinjve, të cilën e ka quajtur potencial më të madh të Kosovës për zhvillim ekonomik.

Etiketa: , ,

Leave a Reply

Të fundit