Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Serbisë dhe Kosovës duhet t’u jepet hapësirë për të arritur marrëveshjen më të mirë të mundshme

Prizren Post | 16:47 - 12.09.2018

Bled – Zëvendësi i ndihmësit të sekretarit amerikan të Shtetit, Matthew Palmer, ka dhënë një intervistë gjatë Forumit Strategjik të Bledit 2018, i cili u zhvillua më 10-11 shtator në Bled, Slloveni, ku Palmer ishte një nga folësit.

Në intervistën e dhënë për portalin Europian Western Balkans, përcjell Telegrafi, Palmer është përgjigjur ndër tjerash edhe në pyetjen nëse politika e Shteteve të Bashkuara në Ballkanin Perëndimor ndryshoi që nga koha kur administrata e presidentit Donald Trump mori detyrën.

“Gjithmonë ka lëvizje në politikë, por në ekuilibër unë do të thosha se vazhdimësia është më e rëndësishme se çdo dallim. Politika e SHBA-së në Ballkanin Perëndimor mbetet e fokusuar dhe e përkushtuar për të ndihmuar vendet e Ballkanit Perëndimor për të arritur qëllimin e tyre, që është ambicie për tu integruar në institucionet evropiane dhe euroatlantike, të cilat për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor përfundimisht nënkuptojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian”.

Për të gjithë, sipas tij, përveç Serbisë, kjo do të thotë edhe anëtarësimi në NATO dhe në këtë drejtim SHBA dëshiron të promovojë partneritetin më të afërt të mundshëm midis NATO-s dhe Serbisë.

“Ne kemi punuar për këtë qëllim për shumë vite përmes administratave të shumëfishta. Kjo mbetet qëllimi kryesor strategjik dhe objektivi i politikës amerikane”, ka thënë Palmer.


Etiketa:
Arivisti Company