E martë, 19 Gusht 2014
Mes të famshmëve të botës së artit, muzikës, sportit dhe teknologjisë prej ditësh po qarkullon “sfida e akullt”. Shefi ekzekutiv i Apple-it, Tim Cook, është personi i fundit i famshëm që i është bashkuar kësaj “sfide të akullt”. Ai pranoi që të lagej nga një kovë me ujë akull në shenjë bamirësie.
Sfida është krijuar për të mbledhur para për të sëmurët me sklerozë, e njohur ndryshe si Sëmundja e Lou Gehrig-ut. Deri tani, shumë personazhe të njohur dhe personalitete të teknologjisë i janë bashkuar sfidës, si shefi i marketingut të Apple-it, Phil Schiller.
Si pjesë e sfidës, personat e famshëm duhet të zgjedhin ose të dhurojnë para ose të lagen me ujë, edhe pse shumica prej tyre i kanë bërë që të dyja. Sipas rregullave, personi duhet të zgjedhë edhe tre persona të tjerë të famshëm që duhet t’i bashkohen sfidës, ose përndryshe ata do të ballafaqohen me një “turpërim” social.
Schiller zgjodhi Cook që t’i bashkohej sfidës, ndërsa Cook zgjodhi shefin ekzekutiv të Disney-t dhe anëtar i bordit të Apple-it, Bob Iger, muzikantin Michael Franti, dhe Dr. Dre, i cili iu bashkua Apple-it pas blerjes së kompanisë Beats për 3 miliardë dollarë.