E shtunë, 12 Shtator 2015
Forcimi i strukturave ekonomike sipas modelit gjerman do të ishte zgjidhja më e mirë për zhvillimin e Shqipërisë. Investitorët gjermanë janë shumë të gatshëm të investojnë atje ku ka fuqi punëtore të kualifikuar. Këshilla vjen nga Thomas Feist, anëtari i CDU-së, i cili, në një intervistë për gazetën “Shekulli”, komenton kërkesat e shtuara të shqiptarëve për azil në Gjermani, por dhe mënyrat se si ata mund të punojnë ligjërisht në vendin e tij.
“Shumë shqiptarë do të donin të jetonin dhe punonin këtu, por kërkesa për azil është mënyra e gabuar për ta përfituar diçka të tillë. Ka mënyra ligjore për të gjetur punë në Gjermani. Për këtë nevojitet një diplomë e përfunduar me rezultate të mira si edhe aftësi të mira gjuhësore”, – pohon ai. Fiest, i cili këtë verë kaloi dhe pushimet e para në vendin tonë, vlerëson mikpritjen shqiptare, ndërsa shqiptarët i konsideron si shumë ambiciozë e punëtorë.
Zoti Feist ju tashmë e njihni Shqipërinë edhe nga afër. Si vendosët që të ishte Shqipëria destinacioni juaj i pushimeve dhe cila është përshtypja juaj për vendin tonë?
Kam parë disa reportazhe mbi bukuritë e Shqipërisë dhe gjithashtu pas shumë bisedash me shqiptarë që jetojnë këtu në Gjermani vendosa që të krijoj vetë një ide mbi këtë vend nga afër. Një mike dhe një bashkëpunëtore imja në Bundestagun gjerman (e cila është shqiptare) më dha një ide më të qartë se çfarë më priste në Shqipëri. Më duhet ta pranoj që nuk mbeta aspak i zhgënjyer: Shqipëria nuk është vetëm një vend tërheqës nga natyra.
Njerëzit aty janë shumë të dashur, të gatshëm për të të ndihmuar dhe shumë mikpritës. Mikpritja e shqiptarëve, për të cilën kisha dëgjuar të flitej në një shkallë superiore, më tërhoqi vërtet shumë. Shqiptarët janë shumë krenarë për vendin e tyre. Shumë janë ambiciozë, punëtorë dhe të interesuar për kulturën. Bashkëjetesa fetare më ka bërë një përshtypje të thellë. Ajo që është e sigurt, është që patjetër do ketë një herë të dytë timen në Shqipëri.
Po për shqiptarët?
Shqiptarët janë shumë të lidhur me vendin e tyre – edhe pse shumë prej tyre janë shpërndarë në skaje të ndryshme të botës. Ata e shijojnë jetën me familjen dhe me miqtë e tyre. Patjetër që mbi çdo gjë ata kanë familjen, e kjo është diçka që e vlerësoj shumë. Shqiptarët janë të çmendur pas makinave të mëdha dhe të shpejta, i dashurojnë dasmat e “bollshme” tradicionale. Arsimimi i mirë ashtu si edhe paraqitja e jashtme konsiderohen të një rëndësie të veçantë. Edhe pse mentaliteti i banorëve që jetojnë në qytet është shumë i ndryshëm nga mentaliteti i atyre që jetojnë në fshat, kudo ndihesh një turist i mirëpritur.
Çështja e azilit, e cila tashmë është kthyer në problem evropian, ka bërë që në Gjermani të flitet edhe më shumë për shqiptarët. Si e shikoni këtë përpjekje të shqiptarëve për t’u larguar nga vendi?
Në fakt, numri i azilkërkuesve nga Shqipëria është shumë i lartë, qëndron pas Sirisë, në vendin e dytë. Megjithatë, kjo nuk është theksuar aq shumë në debatin që është zhvilluar në Gjermani. Këtu azilkërkuesit nga Shqipëria konsiderohen si pjesë e aplikantëve të Ballkanit Perëndimor. Në fakt, Gjermania ka një reputacion të shkëlqyer në Shqipëri. Shumë shqiptarë do të donin të jetonin dhe punonin këtu, por kërkesa për azil është mënyra e gabuar për ta përfituar diçka të tillë. Ka mënyra ligjore për të gjetur punë në Gjermani.
Për këtë nevojitet një diplomë e përfunduar me rezultate të mira si edhe aftësi të mira gjuhësore. Pa këtë, pa marrë parasysh se nga cili vend i botës vjen, ke mundësi vetëm për të fituar një punë të paguar keq. Si një ish-qytetar i Gjermanisë Lindore, e kuptoj joshjen që Gjermania ushtron ndaj shqiptarëve. Megjithatë, nuk duhet vetëm të shikojmë anën e ndritshme të medaljes: shqiptarëve do u mungojë vendlindja, njerëzit me të cilët mund të kuptohen në gjuhën e tyre, do u mungojë një familje e lënë pas, krenaria për origjinën e tyre, kultura dhe traditat aq të veçanta, e gjitha kjo për fokusin e vetëm për të fituar para më shpejt jashtë vendit. Më e rëndësishmja, sipas mendimit tim, është të investohet në një arsim më të mirë për të çuar përpara vendin e tyre.
Sa mundësi kanë shqiptarët për të fituar azil në Gjermani?
Shanset për të marrë azil në Gjermanisi një vend anëtar i NATO-s-janë zero. Mënyra ligjore për të punuar në Gjermani, ka me kusht arsimin e mirë (formim profesional i preferuar) si edhe aftësi të mira gjuhësore, ndërsa rruga drejt një procedure të pashpresë azili, është totalisht e gabuar. Edhe diçka në lidhje me këtë: Unë mendoj se është e rëndësishme të forcohen strukturat ekonomike në Shqipëri, pse jo duke ndjekur modelin gjerman. Investitorët gjermanë investojnë aty ku ka fuqi punëtore të kualifikuar. Arsimim në Shqipëri, sipas standardeve gjermane, me certifikatë gjermane. Ky do të ishte një vendim i drejtë për një të ardhme të mirë të Shqipërisë. Unë jam i gatshëm për të dhënë ndihmesën time sepse i kam në zemër Shqipërinë dhe shqiptarët.
Sa mendoni se është e aftë Gjermania ta përballojë këtë fluks emigrantësh, jo vetëm nga Shqipëria?
Gjermania do t’i përballojë dhe do t’i menaxhojë me sukses këto sfida. Megjithatë, kjo mund të ketë sukses vetëm me njerëzit që janë të gatshëm të mësojnë gjuhën dhe të respektojë Kushtetutën. Në lidhje me aplikantët e paautorizuar për azil, Gjermania sigurisht do tregohet akoma edhe më strikte në të ardhmen (duhet).
Çështja e azilantëve po kthehet një problem shqetësues për shumë vende të Evropës. Mendoni se vendet evropiane po e përballojnë këtë problem në mënyrën e duhur?
Ne kemi nevojë për një politikë evropiane për çështjen e azilit, për shkak se shtetet anëtare të BE-së nuk mund ta zgjidhin individualisht këtë. Ekziston patjetër nevoja për ndarjen e barrës. Cila mendoni se duhet të jetë zgjidhja për këtë situatë? Sigurisht që nuk bëhet fjalë për një zgjidhje të vetme, por për një paketë të tërë masash. Ndoshta do të ketë një debat në lidhje me lirinë e lëvizjes brenda Evropës (hapësirën Shengen), ulja e stimujve financiarë (kupona në vend të parave të gatshme) dhe procedura shumë më të shpejta të trajtimit të kërkesave për azil. Këto janë pikat kryesore në drejtim të të cilave po punohet fort.
Politika gjermane, shumë mbështetje për Shqipërinë
Si i vlerësoni marrëdhëniet mes dy vendeve tona?
Integrimi në Bashkimin Evropian nuk është i njëanshëm, është i dobishëm si për BE-në dhe për Shqipërinë. Ai është një projekt paqeje për të gjithë Evropën, i cili ofron siguri për të gjithë në të njëjtën kohë. Bundestagu gjerman e mbështet këtë proces dhe këtë bashkëpunim, për shembull, me intensifikimin e shkëmbimeve të të rinjve, nëpërmjet promovimit të bashkëpunimit ekonomik dhe shkëmbimeve akademike si pjesë e DAAD, por edhe përmes programeve të tjera, të tilla si IPS.
Pritshmëritë e Shqipërisë nga Gjermania janë mjaft të mëdha. Sa realisht e kemi këtë mbështetje?
Në politikën gjermane ka shumë mbështetës të Shqipërisë. Së bashku, ne do të sigurojmë që ndihma gjermane të arrijë aty ku është e nevojshme, që, përveç projekteve të përkohshme, në Shqipëri të ketë gjithashtu një udhëzues strategjik të dy qeverive për suksesin e bashkëpunimit. Një element i rëndësishëm për mua është promovimi i infrastrukturës dhe arsimit profesional. Sukses do të quhet vetëm nëse arrijmë të krijojmë një perspektivë të mirë për të rinjtë shqiptarë në vendin e tyre. Jam i bindur që kjo do jetë shumë shpejt e prekshme!/Shekulli/
Etiketa: azil kerkuesit, Gjermania, Kosova, Thomas Feist