SHBA-ja dhe Irani mbajnë të dielën rundin e 6-të të bisedimeve për programin bërthamor


E enjte, 12 Qershor 2025



Shtetet e Bashkuara dhe Irani do të zhvillojnë këtë të dielë në Oman rundin e gjashtë të negociatave mbi programin bërthamor të Teheranit që përparon me shpejtësi, ka bërë të ditur të enjten ministri i jashtëm i sulltanatit.

Njoftimi vjen teksa tensionet rajonale janë rritur ndjeshëm ditët e fundit, raporton AP.

Njoftimi nga ministri i Jashtëm i Omanit, Badr al-Busaidi, vjen pas raportimeve se SHBA-ja po zvogëlon praninë e stafit që nuk konsiderohet thelbësorë për operacionet në Lindjen e Mesme dhe të familjarëve të tyre për shkak të potencialit për trazira rajonale.

Ndërkohë, ka pasur paralajmërime se anijet mund të jenë në shënjestër në ujërat rajonale për shkak të tensioneve.

Al-Busaidi e ka bërë njoftimin në platformën sociale X.

“Jam i kënaqur të konfirmoj se rundi i 6-të i bisedimeve Iran-SHBA do të mbahet në Muscat këtë të diel, më 15 qershor”, ka shkruar ai.

Irani prej ditësh kishte thënë se do të kishte bisedime, por Omani, i cili shërben si ndërmjetës, nuk i kishte konfirmuar ato deri më tani. /koha







Të fundit