SHBA mbështesin Kosovën në rrugën drejt Aleancës


E martë, 24 Mars 2015

Washington – Sot gjashëmbëdhjetë vjet më parë NATO nisi fushatën e bombardimeve kundër forcave dhe caqeve serbe në Kosovë dhe në Serbi, duke shënuar kësisoj fillimin e fundit të luftës gati dyvjeçare në Kosovë.

24 Marsi 1999 simbolizon një gërshetim të idealeve të shumë brezave të popullit të Kosovës me ato të botës perëndimore për liri dhe demokraci, ndërsa brezat që e jetuan do të kenë në mbamendje dhe shënojnë si një ndër ngjarjet më të madha historike të Kosovës. Fillimi i fushatës së bombardimeve që zgjatën 78 ditë është i një rëndësie vendimtare, një ditë e kthesës së madhe për të ardhmen e Kosovës që pas tetë vjetësh do të kurorëzohej me shtetësinë e saj.

Derisa Kosova vazhdon ta konsiderojë Amerikën si aleatin dhe mbrojtësin kryesor të legjitimitetit, sigurisë dhe të interesave të saj, ndërhyrja ushtarake e NATO-s e udhëhequr nga Amerika do të konsiderohet gjithashtu ndër sukseset më të mëdha të administratës së presidentit Bill Clinton dhe e politikës së jashtme amerikane në fund të shekullit të kaluar.

Ky përvjetor i gjashtëmbëdhjetë i sulmit të NATO-së, e gjenë Kosovën më afër Aleancës ushtarake perëndimore me kontigjentin e saj, të vlerësuar këtu, gjithnjë e më profesionist të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Viteve të fundit janë shpeshtuar edhe deklaratat e zyrtarëve amerikanë mbi nevojën e qasjes së Kosovës në aleancën ushtarake perëndimore. Qeveria amerikane është deklaruar se mbështet fuqimisht objektivin e Kosovës për të hyrë në Partneritetin për Paqe dhe më pas në NATO. Së këndejmi, nga Forca e Sigurisë së Kosovës tani, si Forcë e ardhshme e Armatosur e Kosovës kërkohet që të kryejë reformat e duhura për të plotësuar kriteret e avancimit dhe përfundimisht anëtarësimit në Aleancë./RTK/

Etiketa: , ,
Të fundit