E premte, 7 Tetor 2022
LIMA – Shtetet e Bashkuara po shqyrtojnë opsione të ndryshme në lidhje me marrëdhëniet e tyre me Arabinë Saudite pasi Riadi dhe vendet e tjera të OPEC+ ranë dakord këtë javë për shkurtime të mëdha në prodhimin e naftës, tha të enjten Sekretari i Shtetit Antony Blinken.
“Sa i përket marrëdhënies (me Riadin) në vazhdim, ne po shqyrtojmë një sërë opsionesh përgjigjeje. Ne jemi duke u konsultuar ngushtë me Kongresin,” tha Blinken në një konferencë shtypi në Lima së bashku me homologun e tij peruan.
Blinken nuk specifikoi se çfarë hapash po shqyrtonte Uashingtoni. Administrata e presidentit demokrat Joe Biden është duke menduar për një përgjigje pasi prodhuesit e naftës OPEC+, ku përfshihet Rusia, ranë dakord të mërkurën për të ulur prodhimin.
Demokratët në Kongresin e SHBA-së bënë thirrje të enjten për të ulur shitjet ushtarake në Arabinë Saudite. Disa ligjvënës vënë në dyshim lidhjet e sigurisë së Uashingtonit me Riadin, të zemëruar nga vdekjet e civilëve në operacionet ushtarake të udhëhequra nga Arabia Saudite në Jemen, si dhe nga abuzimet e dyshuara të të drejtave të njeriut.
Etiketa: Amerika, Arabia Saudite, nafta, OPEC+